Kandidatja e PDK-së për deputete, Besa Ismaili, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me procesin e rinumërimit të votave, duke theksuar se ndryshimet e konstatuara deri më tani në 7.41% të vendvotimeve të rinumëruara ngrenë pikëpyetje për saktësinë e pjesës së mbetur të procesit.
Sipas saj, fakti që në shumicën e kandidatëve janë vërejtur ndryshime në numrin e votave, qoftë edhe për një votë më shumë apo më pak, tregon nevojën për transparencë dhe verifikim të plotë. Ismaili thekson se besueshmëria e procesit zgjedhor ndërtohet mbi trajtimin e barabartë të çdo vote dhe garantimin se vullneti i qytetarëve është administruar saktë.
Ajo i ka drejtuar një pyetje publike Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar të dijë nëse institucioni mund të garantojë se 92.59% e votave që nuk janë rinumëruar nuk përmbajnë gabime.
“Besimi në demokraci fillon me besimin në saktësinë e numërimit të votës”, ka theksuar Ismaili.
Postimi i plotë:
Nëse vetëm nga 7.41% e rinumërimit po shohim ndryshime te votat e shumicës së kandidatëve, qoftë edhe për një votë të vetme, më shumë apo më pak, kush garanton qytetarët se në 92.59% e mbetur, që nuk është rinumëruar, nuk do të ketë gabime?
Besueshmëria e procesit zgjedhor ndërtohet vetëm mbi transparencë, verifikim dhe trajtim të barabartë të çdo vote.
Kur një mostër e vogël e rinumërimit nxjerr në pah mospërputhje, qoftë edhe për një votë më shumë apo më pak, lind një detyrim institucional për ta adresuar këtë çështje në mënyrë të plotë dhe bindëse.
Qytetarët duhet garantuar se vullneti i tyre është administruar saktë dhe se çdo votë është numëruar ashtu siç është hedhur.
Prandaj, lind një pyetje legjitime për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve:
A mund të garantoni se 92.59% e votave të pa rinumëruara nuk përmbajnë gabime?
Besimi në demokraci fillon me besimin në saktësinë e numërimit të votës.






