Berita Abazi pritet sot ta dorëzojë detyrën e shefes së stafit të presidentes: A do të largohen nga Presidenca edhe tre militantët e tjerë të VV-së?

- Advertisement -

Shefja e stafit të kabinetit të presidentes Justina Shiroka-Pula, Berita Abazi, sot pritet të dorëzoi mandatin.

Gazeta Nacionale ka mësuar se vendimi për emërimin e Berita Abazit në pozitë sot pritet të shfuqizohet dhe se në vend të saj pritet të emërohet dikush tjetër.

Abazi, e cila njihet si militante e VV-së, ishte edhe shefe e stafit të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Presidenca e Kosovës nuk ka pranuar të komenton një gjë të tillë.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në Presidencë duke kërkuar sqarime për këtë çështja, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Gjithashtu, gazeta ka kërkuar të dijë nëse presidentja Shiroka-Pula do t’i lirojë nga detyra edhe ish-anëtarët e stafit të ish-kryeparlamentares Albulena Haxhiu, përkatësisht Alba Hondozi, Art Rexhepi dhe Getoar Sylaj, të cilët aktualisht janë të angazhuar si nëpunës të kabinetit të Presidentes, me emërime të bëra nga Berita Abazi.

Pas marrjes së detyrës, presidentja Justina Shiroka-Pula, ka filluar kompletimin e stafit të saj.

Gazeta Nacionale ka raportuar se këtë javë presidentja e ka emëruar Bekim Kupinën këshilltar për media.

Bekim Kupina është bashkëshorti i këshilltares për media të kryeparlamentares Albulena Haxhiut, Vlora Konushevcit.

Kush pritet të emërohet si shefe e stafit?

Gjatë ditës, Gazeta Nacionale ka raportuar se janë përmendur dy emra, të cilët mund të zëvendësojnë Berita Abazin e VV-së.

Sipas burimeve të gazetës, Zana Aqifi dhe Teuta Rexhepi janë dy pretendentet kryesore për të marrë postin e shefes së stafit të presidentes Shiroka-Pula.

Zana Aqifi, sipas burimeve të Nacionales, nuk është e identifikuar publikisht si figurë partiake.

Burimet bëjnë të ditur se emri i saj kishte depërtuar deri te presidentja dhe se, në një fazë të diskutimeve, Justina Shiroka-Pula kishte dhënë pëlqimin që Aqifi të bëhej shefe e stafit të saj.

Ky zhvillim ishte pritur si një zgjidhje e mundshme edhe nga njerëzit e PDK-së, të cilët kishin pritur që presidentja të respektonte zotimin për koordinim.

Por, pikërisht kur dukej se kjo çështje po merrte drejtim, në skenë kishte hyrë një emër i ri.

Burime të Nacionales kanë bërë me dije se presidentja Shiroka-Pula kishte sjellë në diskutim edhe emrin e Teuta Rexhepit.

Sipas këtyre burimeve, Rexhepi ka lidhje familjare me bashkëshorten e djalit të presidentes.

Të ngjashme

Të fundit