Berisha: “Monstrum politik” dhe bashkëpunimi me Serbinë, miliona euro për të arsyetuar themelimin e Gjykatës Speciale

- Advertisement -

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, ka kritikuar Gjykatën Speciale në Hagë, duke ngritur pikëpyetje për shpenzimet e mëdha financiare dhe mënyrën e funksionimit të saj.

Në emisionin “Politiko” në Kanal10, Berisha ka deklaruar se miliona euro nga taksat e qytetarëve evropianë po shpenzohen për financimin e kësaj gjykate dhe për dëshmitarët e fshehur, të cilët, sipas tij, janë transferuar në vende të ndryshme të Evropës.

Ai ka pretenduar se këta dëshmitarë kanë bashkëpunuar me Serbinë dhe Gjykatën Speciale, ndërsa ka thënë se edhe vendimi që pritet të merret në këtë proces do të shërbejë për të arsyetuar themelimin e gjykatës dhe shpenzimet e saj.

“Miliona euro të taksapaguesve evropianë, të cilët paguajnë këtë gjykatë dhe dëshmitarët e fshehur, bashkëpunëtorë të Serbisë dhe të kësaj gjykate, të cilët janë transferuar në vende të ndryshme të Evropës, ku financohen”, ka deklaruar Berisha.

Ai e ka cilësuar Gjykatën Speciale si “monstrum politik”, duke pretenduar se baza e themelimit të saj lidhet me bashkëpunimin me Serbinë, prokurorët dhe bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë.

Berisha ka ngritur edhe pretendime për shuma të mëdha parash që, sipas tij, janë shpenzuar për të siguruar deklarata nga persona të caktuar.

Sipas tij, vendimi i pritshëm i kësaj gjykate duhet parë edhe në kontekstin e përpjekjes për të justifikuar shpenzimet marramendëse dhe vetë arsyen e themelimit të saj.

Të ngjashme

Të fundit