Bekim Haxhiu, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kritikuar Komisionin Qendror i Zgjedhjeve për, siç ka thënë ai, mungesë transparence lidhur me procesin e rinumërimit të votave.
Në një status të publikuar në Facebook, Haxhiu ka kërkuar që KQZ të publikojë raportin e plotë të Sekretariatit për rinumërimin, të bëjë publike ndryshimet e votave për secilin kandidat dhe të paraqesë tabela të detajuara me korrigjimet e evidentuara gjatë procesit.
Ai i referohet raportit të Sekretariatit të KQZ-së, sipas të cilit gjatë rinumërimit të 28,699 votave të subjekteve politike janë identifikuar 2,831 vota preferenciale të kandidatëve të regjistruara me pasaktësi në numërimin fillestar. Haxhiu thekson se, sipas raportit, pasaktësitë për subjektet politike variojnë nga 10.7 deri në 13.2 për qind, ndërsa KQZ ka deklaruar se marzhi i gabimit në rezultatin përfundimtar të votave preferenciale është rreth 1.4 për qind.
Sipas Haxhiut, rezultati i zgjedhjeve me lista të hapura duhet të jetë plotësisht i saktë dhe çdo pasaktësi duhet të verifikohet e eliminohet para certifikimit të rezultatit zgjedhor. Ai vlerëson se besimi në procesin zgjedhor ndërtohet përmes transparencës, rinumërimit dhe saktësisë së plotë.






