Bekim Haxhiu ka akuzuar ashpër pushtetin e Albin Kurti dhe zyrtaren e LVV-së, Dejona Mihajli, duke pretenduar se po zhvillohet një “luftë e hapur” për denigrimin e pjesëtarëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës përmes shpifjeve, linçimeve dhe akuzave të fabrikuara politikisht.
Sipas Haxhiut, pas dështimit të asaj që ai e quajti “skenar për nxitje të përleshjeve në Drenicë”, janë aktivizuar “mercenarë politikë e propagandistikë” për të sulmuar luftëtarët e lirisë dhe figurat e lidhura me Partia Demokratike e Kosovës.
Ai bëri të ditur se disa persona tashmë janë paditur për shpifje, ndërsa paralajmëroi edhe padi të tjera ndaj atyre që, sipas tij, kanë akuzuar ish-pjesëtarët e UÇK-së për bashkëpunim me Serbinë.
Haxhiu deklaroi se akuzat ndaj luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre janë “të ulëta dhe të pabesueshme”, duke theksuar se PDK-ja ka kontribuar në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, zhvillimin e vendit dhe sigurimin e njohjeve ndërkombëtare.
Në reagimin e tij, ai akuzoi gjithashtu Lëvizja Vetëvendosje se po përdor “metoda të vjetra të UDB-së” për të nxitur përçarje dhe konflikte mes shqiptarëve me qëllim ruajtjen e pushtetit politik.
Postimi i plotë:
Falangat e pushtetit të Kurtit kanë shpallur luftë të hapur për denigrimin e pjesëtarëve të UÇK-së përmes shpifjeve, linçimeve dhe akuzave të fabrikuara në kuzhinën politike të Dejona Mihajlit.
Pasi dështoi skenari i Kurtit e Mihajlit për të nxitur përleshje në Drenicë, duke abuzuar me njësinë speciale të policisë për ta futur popullin në konflikt, tani kanë aktivizuar mercenarët politikë e propagandistikë, disa të rrjedhur nga truri, për të sulmuar luftëtarët e lirisë, me metodat më poshtëruese.
Disa prej tyre tashmë kanë padi në organet e drejtësisë, për shpifje, ndërsa për të tjerët paditë janë në përgatitje.
Albin Kurti dhe Dejona Mihajli mund t’i nxisin për të shpifur e llomotitur, por faturën para organeve të drejtësisë do ta paguajnë vetë.
Le të dalin para gjykatës dhe të dëshmojnë se si luftëtarët e UÇK-së, familjet që sakrifikuan gjithçka dhe njerëzit që luftuan kundër Serbisë qenkan “bashkëpunëtorë të Serbisë”, qenkan tradhëtarë. Kjo është një marrëzi që nuk e beson askush me mendje të shëndoshë.
Të akuzosh për tradhti ata që derdhën gjak për lirinë e Kosovës është akt i ulët, duhet të jesh pa tru e pa fije morali dhe logjike për të bërë shpifje të tilla kundër pjesëtarëve të UÇK-së e PDK-së, që shpalli Pavarësinë e Kosovës, zhvilloi Kosovën dhe siguroi mbi 115 njohje e anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
Përpjekja e qëllimshme e Kurtit dhe Mihajlit për përçarje dhe nxitje të urrejtjes e konflikteve mes shqiptarëve i tejkalon konturat politike.
LVV, me direktivat e Dejona Mihajlit e Albin Kurtit, po përdor metoda të vjetra që në shekullin e kaluar gatuheshin në kuzhinat e UDB-së, ndërsa tani, përmes kësaj mendësie, po nxitë përçarje e konflikte mes shqiptarëve vetëm për të mbajtur pushtetin dhe për të eliminuar kundërshtarët politikë.
Serbia ka dështuar të nxisë shqiptarët kundër njëri-tjetrit, e shumë shpejt edhe LVV do të dështojë me këtë mendësi nxitëse, përçarëse, të vëllavrasjes, luftës civile.
Serbia ka dështuar.
Do të dështojnë edhe shërbëtorët e metodave të saj.






