Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar lidhur me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Behrami ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke i akuzuar se nuk po e zbatojnë ligjin.
“Albin Kurti mbrëmë u tregua i pavullnetshëm për ta implementuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka shkruar Behrami.
Ai ka kritikuar edhe Gërvallën, duke thënë se ajo “nuk e implementon asnjë pikë, asnjë presje të këtij ligji”.
Sipas Behramit, një qasje e tillë po shfaqet edhe në procesin për zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Dhe tani dëshirojnë një president që po ashtu do të jetë në linjë me Prokurorinë e Gjykatës Speciale”, ka deklaruar ai.
Behrami ka theksuar se Kosovës i nevojitet një udhëheqje që, sipas tij, do të jetë e përkushtuar ndaj mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
“ Kosovës i duhet edhe një Qeveri, edhe një President që janë 100% pas mbrojtjes së krerëve të UÇK-së, dhe jo të tillë që bëjnë tregti me UÇK-në”, ka shtuar Behrami






