Bashkimi Evropian do ta shtojë mbështetjen financiare për Autoritetin Palestinez me një pako trevjeçare në vlerë të rreth 1,6 miliard eurosh, tha në një intervistë komisionerja evropiane përgjegjëse për Lindjen e Mesme.
Dubravka Suica, komisionerja evropiane për Mesdheun, tha se përkrahja financiare do të jetë në përputhje me reformat e Autoritetit Palestinez, i cili nga kritikët është akuzuar për korrupsion dhe keqqeverisje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne duam që ata ta reformojnë veten, sepse pa reformim, ata nuk do të jenë mjaftueshëm të fuqishëm dhe të besueshëm për të qenë bashkëbisedues, jo vetëm për ne, por bashkëbisedues edhe për Izraelin” – tha zonja Suica.
Komentet e saj erdhën para një “dialogu politik të nivelit të lartë”, i pari i këtij lloji, mes ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve të lartë palestinezë, përfshirë kryeministrin Mohammad Mustafa, të hënën në Luksemburg.
Bashkimi Evropian është donatori më i madh i palestinezëve dhe zyrtarë të BE-së shpresojnë se Autoriteti Palestinez, i cili e qeveris Bregun Perëndimor, një ditë do të mund ta marrë përgjegjësinë edhe për Gazën pasi të ketë përfunduar lufta mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.