Trump merr dhuratë luksoze, unazë me 321 diamante për 250-vjetorin e ShBA-së

- Advertisement -
Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të marrë një dhuratë të pazakontë nga industria belge e diamanteve: një unazë luksoze prej ari 18-karatësh, e stolisur me 321 diamante, 56 safirë, 13 smeralde dhe gjashtë rubinë, e krijuar për të shënuar 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Unaza, e quajtur “Freedom 250”, iu dorëzua ambasadorit amerikan në Belgjikë, Bill White, gjatë një ceremonie festive në Bruksel, me qëllim që t’i përcillet liderit amerikan.

Në një videomesazh të regjistruar paraprakisht, Trump falënderoi komunitetin e diamanteve të Antverpenit për dhuratën, duke e cilësuar atë si “madhështore”.

Bizhuteria është frymëzuar nga unazat e kampionëve të Super Bowl-it dhe përmban simbole të shumta amerikane. Në të janë gdhendur vitet 1776 dhe 2026, numrat 45 dhe 47, që i referohen mandateve presidenciale të Trumpit, si dhe një shqiponjë me mburojë rubini dhe degë ulliri prej smeraldi.

Në pjesën e brendshme të unazës është gdhendur mbishkrimi: “Crafted in Antwerp for Donald John Trump”.

Dhurata vjen vetëm pak muaj pasi industria belge e diamanteve përfitoi nga heqja e tarifave amerikane për importin e diamanteve të lëmuara, një zhvillim që konsiderohet me rëndësi të madhe për eksportet nga Antverpeni drejt tregut amerikan.

Megjithatë, përfaqësuesit e Qendrës Botërore të Diamanteve në Antverpen kanë mohuar se kanë lobuar drejtpërdrejt pranë administratës amerikane.

Edhe pse vlera e unazës vlerësohet mes 25 mijë dhe 35 mijë dollarëve, ekspertët e etikës në SHBA kanë ngritur pikëpyetje mbi pranimin e dhuratave të tilla luksoze nga presidenti, duke theksuar se kjo bie ndesh me praktikën tradicionale të Shtëpisë së Bardhë për shmangien e dhuratave me vlerë të lartë.

Të ngjashme

Të fundit