Bayerni fiton Superkupën e Gjermanisë, mposhtë rivalin e përjetshëm

- Advertisement -
Bayern Munich ka nisur sezonin e ri me trofe, pasi ka mposhtur Borussia Dortmundin me rezultat 2-1 në Superkupën e Gjermanisë.

Sfida e zhvilluar në “Signal Iduna Park” dhuroi spektakël dhe rivalitet, por kampionët e Gjermanisë treguan më shumë efikasitet dhe siguruan trofeun për herë të 12-të në histori, rekord në këtë garë.

Bayern e zhbllokoi ndeshjen pas një aksioni të bukur. Michael Olise shërbeu për Nathaniel Brown, i cili me një goditje të shpejtë mposhti Gregor Kobelin dhe shënoi për 1-0.

Skuadra e Vincent Kompanyt vazhdoi të kontrollonte ritmin e lojës dhe ishte pranë golit të dytë në disa raste. Dortmund gjithashtu pati mundësinë për të barazuar, por goli i Ramy Bensebainit u anulua për pozicion jashtë loje.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, Bayern e dyfishoi epërsinë. Olise përfitoi nga një gabim i Jobe Bellingham, depërtoi në zonë dhe realizoi qetësisht për 2-0.

Dortmundi u rikthye më i vendosur pas pushimit dhe kërkoi golin që do ta hapte sërish ndeshjen. Manuel Neuer pati disa ndërhyrje të rëndësishme, ndërsa trajneri Niko Kovač bëri disa zëvendësime për të ndryshuar ritmin e skuadrës.

Përpjekjet e vendasve u shpërblyen në minutën e 75-të, kur Fabio Silva përfitoi nga një asistim i Daniel Svensson dhe ngushtoi rezultatin në 2-1.

Dortmund kërkoi deri në fund golin e barazimit, por Bayern arriti ta ruajë epërsinë. Situata u vështirësua edhe më shumë për vendasit pas kartonit të kuq të Bensebainit.

Me këtë sukses, Bayern Munich e nis sezonin me një trofe të rëndësishëm dhe e çon në 12 numrin e Superkupave të fituara në Gjermani.

Dortmundi, ndërkohë, do të përqendrohet tani në startin e Bundesligës, ndërsa Bayern do ta nisë mbrojtjen e titullit kampion në javët e ardhshme

Të ngjashme

Të fundit