Kampioni në fuqi i Bundesligës, Bayer Leverkusen, ka barazuar 1:1 në udhëtim te Bayern Munich.
Bavarezët erdhën në këtë ndeshje si favorit për të fituar pasi që e kanë nisur shumë mirë me trajnerin e ri Vincent Kompany, por që dolën me një pikë.
Bayern Munich e dominoi pothuajse tërësisht takimin në Allianz Arena, ndonëse mysafirët kaluan në epërsi të parët.
Robert Andrich shënoi gol të bukur në minutën e 31-të, kur u asistua nga Granit Xhaka, për rezultatin 1:0.
Por vendasit nuk vonuan shumë për të reaguar. Zhvillohej minuta e 39-të, kur serbi me nënshtetësi gjermane, Aleksandar Pavlovic, barazoi për 1:1 dhe kështu u mbyll pjesa e parë.
Bayern Munich ishte pothuajse skuadra e vetme në fushë në pjesë të dytë, duke qarkulluar topin, e herë pas here duke dalë rrezikshëm përpara, teksa mysafirët dukeshin të kënaqur me një pikë.
Ndonëse u paraqitën më mirë, ndryshim në rezultat deri në fund nuk pati dhe ndeshja përfundoi me barazim 1:1.
Bayern Munich vazhdon në krye të renditjes me 13 pikë të grumbulluara në pesë ndeshje, ndërsa Leverkusen ka tre pikë më pak.