Klubi i Barcelonës i është rikthyer me ngulm interesimit për mbrojtësin e Interit, Alessandro Bastoni.
Sipas raportimeve të medias spanjolle “Mundo Deportivo”, gjiganti katalanas mund të provojë përsëri transferimin e tij që në afatin kalimtar të janarit, pasi përpjekja e vitit të kaluar nuk pati sukses.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, po kërkon përforcime të nivelit të lartë për të blinduar repartin e mbrojtjes. Bastoni vlerësohet prej kohësh nga drejtuesit katalanas dhe, ndonëse ndihet mjaft mirë te Interi, raportohet se do të ishte i gatshëm të dëgjonte një ofertë zyrtare nga një klub i përmasave të Barcelonës.
Nga ana tjetër, zikaltrit e kanë konsideruar gjithmonë mbrojtësin italian si një shtyllë të paprekshme të skuadrës. Bastoni gëzon një rol kyç në Milano, ndaj largimi i tij në mes të sezonit konsiderohet mjaft i vështirë.
Për të realizuar këtë lëvizje, Barcelona duhet të paraqesë një ofertë mjaft bindëse financiare, si për klubin italian ashtu edhe për vetë lojtarin. Kujtojmë se Alessandro Bastoni ka një kontratë me Interin të vlefshme deri më 30 qershor 2028.






