Barcelona ka shprehur shqetësime në UEFA lidhur me gjatësinë e barit në stadiumin “Metropolitano” të Atletico Madrid, përpara ndeshjes vendimtare të çerekfinales së Champions Leagues.
Trajneri Hansi Flick u pa duke e diskutuar çështjen me delegatin e UEFA-s gjatë seancës së fundit stërvitore të skuadrës, shkruan “Goal”.

Pamjet e shfaqën trajnerin gjerman duke treguar drejt fushës dhe duke komentuar mbi lartësinë e barit, duke nxitur menjëherë spekulime se Barcelona nuk ishte e kënaqur me kushtet e terrenit përpara sfidës së rëndësishme evropiane.
Sipas raportimeve, zyrtarët e klubit katalanas më pas sqaruan se nuk ishte paraqitur një ankesë zyrtare.
Megjithatë, u konfirmua se Flick kishte bërë vërejtje ndaj përfaqësuesve të UEFA-s, të cilët më pas i ndoqën procedurat standarde të inspektimit të fushës para ndeshjes.
Nga ana tjetër, Atletico Madrid i ka refuzuar sugjerimet se fusha e tyre ka probleme.
Sipas të njëjtave burime, klubi madrilen ka theksuar se bari është në gjendje të mirë, madje më i mirë se një muaj më parë.
Gjithashtu, ata kanë nënvizuar se temperaturat më të larta në Madrid javët e fundit kanë ndihmuar në mirëmbajtjen e cilësisë së terrenit në “Metropolitano”.
Atletico Madridi e fitoi lojën e parë çerekfinale në Camp Nou me rezultat 2:0 dhe sonte do të mundohet ta ruajë këtë kapital në kryeqytetin spanjoll.
Nga ana tjetër, gjiganti katalunas shkon në Madrid në tentim që ta përmbysë rezultatin dhe ta sigurojë gjysmëfinalen e kësaj gare prestigjioze.






