6.3 C
New York
Friday, November 15, 2024

Buy now

Ballkani Perëndimor: Njohja e diplomave ende sfidë

- Advertisement -

”Vendimtare për mua ishte bashkëpunimi me fakultetet botërore të arkitekturës. Pas përfundimit të studimeve është i mundur bashkëpunimi me të gjitha institucionet e larta shkencore dhe arsimore, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe më gjerë.” – thotë Balkoski.

Damjan Balkoski, nga Maqedonia e Veriut, ka mbrojtur doktoraturën në arkitekturë në Beograd dhe është të pritje të njohjes së saj nga autoritetet maqedonase.

Pas përfundimit të studimeve të tij në Beograd, ai pret të përfundojë shpejt procedurën e njohjes së kualifikimeve të tij akademike në vendin e tij. Gjatë studimeve ai nuk kishte hasur në asnjë problem burokratik dhe shpreson që marrëveshja e nënshkruar për njohjen e diplomave dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të arkitektëve në kuadër të procesit të Berlinit, që siguron punësim në arkitekturë dhe ndërtim në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, do ta lehtësojë më tej procesin administrativ.

Në vorbullën e proceseve burokratike

Gjashtë vendet në Ballkanin Perëndimor po përpiqen të krijojnë një treg të përbashkët rajonal, ku ndarja e njohurive dhe e aftësive përtej kufijve është një nga sfidat më të mëdha. Nën iniciativën e Procesit të Berlinit udhëheqësit e gjashtë vendeve premtuan se kualifikimet e arsimit të lartë do të njiheshin pa vonesa, duke reduktuar kohën e pritjes dhe kostot.

Gjithësej janë nënshkruar tri marrëveshje. Dy prej tyre që përbëjnë Njohjen e Ndërsjellë të Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe Kualifikimeve Profesionale për Mjekët e Mjekësisë, Dentistët dhe Arkitektët, janë ratifikuar nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa marrëveshja e tretë për kualifikime shtesë që përbëhet nga Infermierët, Veterinerët, Farmacistët dhe Mamia është ratifikuar vetëm nga parlamenti i Malit të Zi.

Por megjithë marrëveshjet e nënshkruara dhe të ratifikuara nga të gjitha vendet, zbatimi efektiv ka ngecur në vorbullën e proceseve burokratike. Ministritë përkatëse të Arsimit, me gjithë insistimin nuk ishin të gatshme të përgjigjen.

Marrëveshja e nënshkruar nga vendet e Ballkanit në kuadër të procesit të Berlinit për Sistemin e Arsimit të Lartë përcakton rregulla dhe procedura të përbashkëta për njohjen e kualifikimeve, bazuar në Konventën e Lisbonës për Njohjen, Procesin e Bolonjës dhe rregullat përkatëse të BE-së. Ajo gjithashtu thekson se procesi i njohjes së diplomës nuk duhet të zgjasë më shumë se 14 ditë dhe heq tarifat ekzistuese të aplikimit.

Premtime në letër dhe mbivendosje

Sipas Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, marrëveshja vlen për universitetet publike dhe gradualisht parashikohet të shtrihet edhe për universitetet private, ndërsa të gjitha vendet përfitojnë nga njohja e rregulluar e gradave të Doktorit të Filozofisë (PhD).

Marrëveshja është ratifikuar nga parlamentet e të gjitha vendet, por zbatimi i saj ende mungon, duke dekurajuar kështu shpërndarjen e lirë të njohurive midis dy grupeve kryesore: profesorëve akademikë dhe studentëve.

Despina Tumanoska, nga Instituti për Kërkime Ekonomike dhe Politike në Maqedoninë e Veriut, “Finance Think”, thotë se arsyeja kryesore që krijon “ngërçe” në këtë proces është fakti që marrëveshjet e nënshkruara mbivendosen me rregulloret ekzistuese vendore dhe marrëveshjet bilaterale të nënshkruara tashmë.

“Harmonizimi i tyre si dhe përafrimi me rregulloret e BE-së është i nevojshëm: njohja e ndërsjellë e diplomave dhe kualifikimeve duhet të harmonizohet me sistemin ekzistues të njohjes dhe të ketë trajtim të barabartë në procedurën e njohjes, pavarësisht nga vendi ku janë marrë kualifikimet”, thotë Tumanoska.

Ndikim negativ për studentët e ardhshëm

Ky është një faktor që ka një ndikim negativ për studentët e ardhshëm që duan të fillojnë studimet e tyre universitare në çdo vend rajonal. Më të prekurit janë Shqipëria dhe Mali i Zi. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme në Shqipëri në vitin 2023 janë lëshuar vetëm tetëmbëdhjetë viza studimore për shtetas nga Kosova, gjashtë për ata nga Maqedonia e Veriut dhe një për Malin e Zi. Nga universitetet në Mal të Zi nuk erdhi asnjë përgjigje.

Besa Kadriu, profesoreshë në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, hedh dritë mbi pengesat burokratike brenda Ministrive të Arsimit dhe të Shkencës në të gjithë rajonin.

“Procedurat labirintike për njohjen e ndërsjellë vazhdojnë,” vëren ajo, duke përmendur periudhat e gjata të pritjes për dokumentacionin zyrtar, veçanërisht brenda Ministrive të Arsimit dhe Shkencës.

Ministritë përkatëse të Arsimit në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi nuk dhanë përgjigje për çështjet e sipërpërmendura megjithë insistimin.

Siç u vu re nga universiteti më i madh dhe më i vjetër në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i Shën Kirilit dhe Metodit, procedura e njohjes është hallka ku procesi ngadalësohet më shumë.

“Procesi i njohjes së diplomave për përfundimin e niveleve arsimore të mëparshme në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës është i gjatë dhe në disa raste studentët nuk mund të regjistrohen brenda periudhës së përcaktuar dhe kështu vazhdojnë procedurën para autoriteteve të Ministrisë së Brendshme për të marrë vizë” – thotë Kadriu.

Nevojitet më shumë koordinim

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, një institucion i krijuar nga Komisioni Evropian me fokusin për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin më shpejt drejt një tregu të përbashkët rajonal në raportin e tij të zbatimit të vitit 2022 thotë se “nevojiten më shumë para dhe njerëz të kualifikuar për të përmirësuar nivelin e koordinimit ndërinstitucional dhe brendainstitucional të ministrive dhe të agjencive përgjegjëse”.

Romina Radonciq, profesoreshë që jep mësim në Shqipëri dhe Bosnje dhe Hercegovinë, thotë se ka qenë e vështirë të konvertohet diploma e saj pasi grada e Profesorit të Asociuar nuk i njihet si gradë profesionale në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu për të është e pamundur të japë mësim në Kosovë, sepse dy vendet nuk i njohin diplomat e njëri-tjetrit.

“Për mua është shumë e vështirë të punoj në një mjedis që ma bën pothuajse të pamundur të ushtroj të drejtën time për të dhënë mësim, për të cilën kam investuar me plot mund për vite të tëra.”, thotë Radonshiq.

Të punosh në rajon; një skenar (i pamundur)

Ndërsa marrëveshjet që lehtësojnë lëvizjen e lirë të profesionistëve, mungojnë në përpjekjet për zbatim, emigrimi vazhdon për shkak të rritjes së ngadaltë të pagave dhe mundësive të kufizuara të punës.

Marrëveshja më e fundit që nuk është ratifikuar nga të gjitha vendet, përveç Malit të Zi, përfshin profesionet e infermierëve, veterinerëve, mamive dhe farmacistëve, që do të kërkojnë të ndjekin të njëjtin profesion në vendet e Ballkanit Perëndimor, me kualifikimet e tyre të njohura pas ndjekjes së studimeve dhe trajnimit që do të zgjasë 3 deri në 5 vjet.

Trajnimi i infermierëve përgjegjës për kujdesin e përgjithshëm do të përfshijë gjithsej të paktën 3 vjet studimi. Ndërkohë, trajnimi i veterinerëve përfshin gjithsej të paktën 5 vjet studim të plotë teorik dhe praktik, i cili gjithashtu mund të shprehet në kredite ekuivalente evropiane (ECTS).

Trajnimi i mamive duhet të përfshijë gjithsej të paktën një trajnim specifik me kohë të plotë si mami që përfshin të paktën tre vjet studim teorik dhe praktik me kohë të plotë si mami me kohëzgjatje prej 18 muajsh.

Ndërkohë edhe pse marrëveshja e parë për të diplomuarit në Mjekësi, Stomatologji dhe Arkitekturë, është ratifikuar nga të gjitha vendet, Ministritë e Brendshme në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut nuk kanë regjistruar asnjë kërkesë për leje për këto profesione, ndërsa institucionet në Mal të Zi nuk iu përgjigjën kërkesës për të dhëna.

Nisma për të krijuar një treg të lirë pune për profesionistët ende nuk ka dhënë rezultate konkrete, pjesërisht për shkak se paga mesatare në çdo vend është pothuajse e njëjtë. Sipas një raport nga RCC ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk janë shumë të diversifikuara dhe prandaj kërkojnë më shumë punëtorë të pakualifikuar.

Mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore në rajon nënvizon nevojën për përpjekje të përbashkëta për reformën e politikave dhe ndërtimin e institucioneve. Ndërsa Ballkani Perëndimor përpiqet për unitet për tërheqjen e investimeve të huaja dhe nxitjen e rritjes ekonomike, udhëtimi drejt një tregu vërtet të integruar rajonal ende mungon. /DW/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit