Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili dje në një emision televiziv, sipas saj manipuloi me të dhënat dhe shmangu përgjegjësinë.
Sipas saj, Murati nuk arriti dot të numërojë as katër projekte të realizuara me 654 milionë euro të investimeve kapitale.
“Më erdhi keq të shoh sa poshtë kishte rënë i gjori duke u vu komplet në funksion të propagandës, duke manipuluar të dhënat dhe shmangur përgjegjësinë. Pashë dy video ku ai fliste për “kontrabandën e supozuar” dhe “investimet kapitale””, ka thënë Bajrami.
Ministri, ajo thekson se pretendon se e di sa ka qenë kontrabanda në vitet e kaluara dhe se ai mund të masë atë përmes një indikatori të “importit potencial”, duke supozuar se importet duhet të jenë 61% e bruto prodhimit vendor.
“Një qasje e tillë është qesharake dhe e pabazuar shkenctarisht. Por problemi kryesor është ky: kontrabanda është krim dhe dënohet me ligj. Nëse ministri e di sa është vlera e kontrabandës dhe kush e kryen atë, por nuk e raporton në Prokurori, atëherë ai po fsheh një krim. Prokuroria duhet ta thërrasë menjëherë Hekuranin dhe të hetojë atë edhe ata që ai i akuzon për kontrabandë”, shkruan në postimin e saj Bajrami.