Ish-ushtari i UÇK-së dhe investitori shqiptaro-amerikan, Uk Lushi, ka kritikuar procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se ideja e lirisë nuk mund të zhduket për sa kohë ka njerëz që e mbështesin atë.
Në “Edicionin Special” të Klan Kosova, Lushi tha se Kosova e kishte pranuar themelimin e Gjykatës Speciale me mirëbesimin se ajo do të funksiononte sipas standardeve të gjykatave në demokracitë perëndimore.
“Kur Kosova e ka pranuar formimin e Gjykatës Speciale, e ka pranuar si palë kontraktuese me ndërkombëtarët në mirëbesim që kjo gjykatë do të jetë sikur gjykatat në shtetet e demokracisë Perëndimore. Poashtu kur është bërë kjo gjykatë kanë qenë niveli i katërt i të ashtuquajturave drejtësi nëpër të cilat ka kaluar lufta çlirimtare, e para ka qenë UNMIK-u, jashtë kontrollit të Kosovës, e dyta ka qenë EULEX-i, jashtë kontrollit të Kosovës, me krime të ashtuquajtur të luftës dhe me luftën janë marrë edhe gjykata vendore, të cilat absolutisht fillimisht kanë dënuar dhe kanë gjykuar vetëm shqiptarë, tash kohëve të fundit ka disa përmirësime dhe kur kishte ardhur koha që gjykata kundër krimeve të luftës të bëhet e Kosovës sepse askush nuk mundet të mësohet not, duke i treguar si bëhet, por duke e bërë notin, atëherë u formua kjo gjykatë dhe ata njerëz që tash po shihet e kanë sakrifikuar vetën, po të kishin kundërshtuar këtë gjykatë do të kishin dëmtuar Kosovës por do t’i jepnin matrapazëve mundësinë që të thoni ju keni diçka të fshiheni. Procesi gjyqësor ka qenë qesharak, nëse ky proces do të kishte ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose në ndonjë shtet evropian, unë ju siguroj që ata gjykatës do të burgoheshin”, ka thënë Lushi.
Ai kritikoi ashpër procesin në Hagë, duke e cilësuar atë si “qesharak”. Sipas tij, një proces i tillë nuk do të mund të zhvillohej në të njëjtën mënyrë në Shtetet e Bashkuara apo në një shtet evropian.






