Kryenegociatori i Kosovës i cili është edhe ambasador në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe se duhet të ketë përparim në rrugën evropiane pavarësisht Serbisë.
Këto deklarime Bajrami i ka bërë në një intervistë për “Euractiv”.
“Kosova ka avancuar më shumë se çdo shtet tjetër kishte avancuar në momentin kur atij iu dha statusi i vendit kandidat,” tha ai.
Megjithatë sipas Bajramit, anëtarësimi i Kosovës në BE është diçka që s’mund të shmanget, njëjtë sikurse vdekja.
“Ka tre gjëra që nuk mund t’i shpëtosh në jetë: Vdekja, taksat dhe anëtarësimi i Kosovës në BE.”, ka thënë Bajrami.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ditë më parë ka thënë se në jetë janë të paparashikueshëm “Zoti, seksi dhe Bashkimi Evropian”.






