Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se deponia e Sferkës duhet të mbyllet.
Ajo e ka mirëpritur edhe vendimin e FSK-së për të ndërhyrë në këtë vend.
Po ashtu ajo ka kërkuar përsëri që Institucionet e drejtësisë duhet zhvillojnë hetime të plota ndaj të gjithë përgjegjësve.
Reagimi i plotë:
E mirëpres vendimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe urdhrin e Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për angazhimin e njësive të specializuara në deponinë e Sferkës.
Fatkeqësisht, ky angazhim vjen pas afro dhjetë ditësh djegie të pandërprerë.
Përgjegjësia për këtë vonesë, për mosveprimin institucional dhe për dëmin e shkaktuar ndaj shëndetit të qytetarëve, mjedisit dhe pronës duhet të hetohet deri në fund.
Pse u prit kaq gjatë që të angazhoheshin kapacitetet shtetërore? Pse qytetarët u ekspozuan për ditë të tëra ndaj tymit toksik dhe pse u desh të helmoheshin banorë e protestues që institucionet të reagonin?
I qëndroj prapa kallëzimit penal që kam ushtruar dhe kërkoj nga institucionet e drejtësisë që të zhvillojnë hetime të plota ndaj të gjithë përgjegjësve, të përcaktojnë përgjegjësinë dhe ata që kanë dështuar të veprojnë t’i nxjerrin para drejtësisë.
Deponia e Sferkës duhet të mbyllet






