AVONET shpreh shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Zyrës së Kryeministrit, të cilët përmes Rregullores 08/2024 për sistemimin e vendeve të punës në MMPHI kanë shuar pozitën e Udhëheqësit të Njësive të Patentë Shoferit. Ky vendim paraqet një goditje të radhës ndaj funksionimit të këtij sektori të rëndësishëm dhe rrezikon të përkeqësojë edhe më tej situatën tashmë të brishtë të administrimit të shërbimeve të patentë shoferit në Kosovë.
Departamenti i Patentë Shoferit përballet me sfida serioze në menaxhimin dhe funksionimin e tij, si dhe në luftimin e keqpërdorimeve në këtë sektor. Me këtë vendim, degradimi i institucionit përshpejtohet, duke bërë të pamundur një menaxhim të mirëfilltë të procesit. Nuk është e pranueshme që administrimi i një shërbimi kaq të ndjeshëm të mbetet vetëm në përgjegjësinë e një udhëheqësi divizioni, i cili duhet të mbulojë të gjitha komunat e Kosovës, në vend që të ketë udhëheqës të njesive rajonale, ashtu siç ka qenë më parë.
Pavarësisht përpjekjeve të AVONET për të ngritur këtë çështje dhe për të realizuar takime me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), institucionet përkatëse kanë zgjedhur të heshtin.
Këto veprime të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive përkatëse nuk janë të mirëpritura dhe duhet urgjentisht të rishikohen. Ky vendim dëmton interesin shtetëror dhe shoqëror, duke shuar pozita kyçe në një sektor ku qytetarët kanë nevojë për shërbime më efikase dhe më të organizuara. Në vend që qeveria të fokusohet në përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e sundimit të ligjit, po ndërmerren hapa që e dobësojnë edhe më tej administrimin e sektorit.
I bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të reflektojnë dhe të tërheqin këtë vendim, në mënyrë që të sigurohet një funksionim i drejtë, transparent dhe efikas i sistemit të patentë shoferit në Kosovë.