Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e vetmja rrugë për rivendosjen e drejtësisë është shqyrtimi i çështjes në shkallën e dytë.
Në një intervistë për Klan Kosova, Qelaj tha se institucionet e Kosovës duhet të jenë më të vëmendshme dhe të kërkojnë përgjegjësi për veprimet dhe vendimet e Gjykatës Speciale.
“Unë mendoj që padrejtësia tashmë ka ndodhur. E vetmja mundësi për ta rivendosur drejtësinë është marrja e një vendimi të drejtë”, deklaroi Qelaj.
Ai theksoi se një gjykim i drejtë nuk duhet të jetë vetëm një përfundim formal juridik, por rezultat i një procesi të pavarur dhe të paanshëm që krijon besim te publiku.
“Besimi i publikut është thelbësor. Nga reagimet publike mund të konstatoj pa dyshim që Gjykata ka dështuar në krijimin e këtij besimi në raport me qytetarët e Kosovës”, tha Qelaj.
Sipas tij, mbrojtja duhet të punojë fuqishëm në apel, ndërsa edhe ekipet profesionale mbështetëse duhet të ofrojnë argumente konkrete për një përfundim të drejtë.
“Përderisa publiku nuk është i bindur se verdikti është i drejtë, drejtësia nuk ka triumfuar as për viktimat dhe as për të akuzuarit”, u shpreh Avokati i Popullit.
Qelaj paralajmëroi se, nëse dikush shpallet fajtor duke qenë i pafajshëm, pasojat do të ishin të rënda jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për sistemin juridik e gjyqësor të Kosovës






