Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur kthimin në Serbi të 110.05 tonëve ushqim për kafshë, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përmbajtje të aflatoksinës B1 mbi nivelin e lejuar.
Sasia prej 110 mijë e 50 kilogramësh ishte importuar nga operatori ekonomik N.P.T. Haxhijaha SH.P.K. nga Rahoveci, ndërsa prodhues ishte kompania De Heus d.o.o. në Serbi.
Sipas AUV-së, analizat e kryera në laboratorin e këtij institucioni dhe të konfirmuara nga AGES në Austri, kanë dëshmuar se produkti “Koncentrat për lopë qumështore” përmbante 13 mikrogramë për kilogram aflatoksinë B1, mbi kufirin e lejuar. Gjatë inspektimit është konstatuar edhe prania e mbetjeve të insekteve.
Aflatoksina B1 është substancë toksike dhe kancerogjene, e prodhuar nga disa lloje myqesh. Te lopët qumështore, ajo mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.
AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet zyrtare dhe mbikëqyrjen e tregut, me qëllim parandalimin e qarkullimit të produkteve që nuk i plotësojnë kriteret e sigurisë dhe cilësisë./IndeksOnline/






