Autobusë të rinj në Prishtinë nga operatorët privatë me mbështetje të Komunës, Murati i reagon Ramës: Shkelje e plotë e ligjit

- Advertisement -

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, pas njoftimit të këtij të fundit për blerjen e 15 autobusëve elektrikë dhe 2 tramvajve të rinj.

Në një postim në Facebook, Murati ka ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e procesit, duke pretenduar se Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur procedurat e parapara me ligj për këtë lloj marrëveshjeje. Sipas tij, çdo kontratë apo aranzhim i lidhur në këtë drejtim bie ndesh me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat.

Ai ka bërë thirrje që institucionet e rendit të ndërhyjnë sa më shpejt, me qëllim parandalimin e, siç e ka cilësuar, keqpërdorimit të parasë publike.

“Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon Ligji në fuqi, prandaj çfarëdo aranzhimi, marrëveshje apo kontrate që është nënshkruar në lidhje me këtë çështje, ajo është në shkelje të plotë të Ligjit për Partneritet Publiko-Privat. Organet e rendit do duhej të vepronin sa më parë në lidhje me këtë rast në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i parasë publike”, ka deklaruar Murati.

Reagimi i tij ka nxitur një numër komentesh kritike nga qytetarët në rrjetet sociale, ku disa prej tyre e kanë akuzuar për mungesë veprimi dhe pengim të projekteve zhvillimore. “Ju vet s’punoni, edhe plus u pengojnë ata që punojnë”, ka shkruar një komentues.

Pas valës së reagimeve, Murati ka vendosur të kufizojë komentet në postimin e tij në Facebook.

Të ngjashme

Të fundit