Atalanta shpreh interesim për Ardon Jasharin

- Advertisement -

Mesfushori shqiptar Ardon Jashari mund të largohet nga Milani vetëm një vit pas transferimit të tij te gjiganti italian, pasi interesimi për 23-vjeçarin po rritet nga një rival direkt në Serie A.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Atalanta e ka futur emrin e Jasharit në listën e prioriteteve për afatin kalimtar të verës, teksa klubi nga Bergamo po përgatitet për largimin e mesfushorit brazilian Ederson.

Raportohet se Ederson është shumë pranë transferimit te Manchester United, në një marrëveshje që mund t’i sjellë Atalantës rreth 50 milionë euro.

Për këtë arsye, drejtuesit e klubit italian kanë nisur prej kohësh kërkimin për një zëvendësues adekuat në mesfushë.

Mes emrave të përmendur për të marrë rolin e brazilianit është edhe Ardon Jashari, i cili megjithëse pati një sezon jo të lehtë te Milani, vazhdon të konsiderohet si një nga talentet më premtuese në futbollin evropian.

23-vjeçari nuk arriti të sigurojë statusin e titullarit të padiskutueshëm te “Rossonerët” gjatë sezonit të tij të parë në “San Siro”, por paraqitjet e tij kanë mjaftuar për të tërhequr vëmendjen e klubeve tjera të mëdha italiane.

Mbetet të shihet nëse Jashari do të jetë pjesë e projektit të ri të Atalantës, apo nëse Milani do të vendosë ta mbajë mesfushorin shqiptar në skuadër.

Aktualisht, Ardon Jashari është i grumbulluar me Kombëtaren e Zvicrës për Kupën e Botës 2026, ku synimi i tij mbetet të zhvillojë një turne sa më të suksesshëm dhe të konfirmojë potencialin e tij në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Të ngjashme

Të fundit