Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, ka premtuar angazhim maksimal në ndeshjen e nesërme ndaj Irlandës, duke theksuar se “Dardanët” do të futen në fushë me synimin për të fituar, pavarësisht se edhe barazimi do t’ua siguronte pozitën e dytë në grupin B3 të Ligës së Kombeve.
Në konferencën për shtyp para kësaj përballjeje, Asllani ka folur edhe për përkrahjen që kombëtarja e Kosovës ka nga tifozët, jo vetëm në vend, por edhe në ndeshjet që zhvillon jashtë Kosovës.
“Kemi tifozë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës, kundër Sllovenisë, Suedisë, Sllovakisë i kemi pas gjithmonë pranë vetes. Lojët që i kemi humb mund t’i ndodhin të gjitha kombëtareve, por nesër do të japim 100%-shin për të fituar”, deklaroi Asllani.
Sulmuesi kosovar e vlerësoi Irlandën si kundërshtar të fortë, duke theksuar se të dyja kombëtaret kanë cilësi, por se Kosova nuk do të luajë për të ruajtur barazimin.
“Është një ndeshje ndaj një kundërshtari të fortë, atyre iu duhet fitorja, ne me barazim na mjafton, por nuk bën të luajmë për barazim, por për fitore, jemi dy ekipe të forta”, u shpreh Asllani.
Kosova do të përballet nesër me Irlandën në një ndeshje shumë të rëndësishme për fatin e saj në Ligën e Kombeve, me “Dardanët” që synojnë ta përmbyllin grupin në pozitën e dytë.
Ndeshja do të luhet nga ora 20:45






