Mikel Arteta ka insistuar se lojtarët e Arsenal janë “më të bindur se kurrë” se mund të fitojnë titullin e Premierligës.
Pavarësisht humbjes 2-1 ndaj Manchester City në “Etihad Stadium”, trajneri spanjoll beson se skuadra mbetet e fokusuar te objektivi kryesor.
Arsenali pa epërsinë në krye të tabelës të ngushtohet në vetëm tre pikë, pasi Erling Haaland siguroi fitoren për ekipin e Pep Guardiola.
City ka edhe një ndeshje më pak dhe mund të kalojë në vend të parë nëse fiton ndaj Burnley në mesjavë.
“Unë kam besuar sot, kam besuar edhe më parë sepse i shoh çdo ditë dhe e di nivelin që kemi,” tha Arteta.
“Nëse sot kanë nevojë të jenë më të bindur, mendoj se tani janë edhe më shumë. Ata po flisnin për këtë në dhomat e zhveshjes”, shtoi ai.
Ai shtoi: “Tani është një kampionat i ri. Ata kanë një ndeshje më pak, ne kemi tre pikë avantazh dhe pesë ndeshje për t’u luajtur. Gjithçka është ende e hapur. Nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë”.
Arsenali tregoi më shumë luftë se në ndeshjet e fundit, por u ndëshkua nga mungesa e konkretizimit.
Rayan Cherki kaloi në avantazh vendasit, ndërsa Kai Havertz barazoi pas një gabimi të Gianluigi Donnarumma.
Megjithatë, Havertz humbi dy raste të pastra me kokë që mund të kishin ndryshuar rrjedhën e garës për titull.
“Erdhëm këtu për të fituar,” u shpreh Arteta. “E përgatitëm ndeshjen për ta fituar dhe e çuam lojën në zonat ku mendonim se mund ta bënim diferencën. E treguam që jemi në atë nivel, por realiteti është se diferenca sot u bë në dy zonat e penalltisë”.
Me katër humbje në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, janë ngritur pikëpyetje për gjendjen psikologjike të skuadrës.
Megjithatë, Arteta i hodhi poshtë këto shqetësime: “Nëse duhet të motivoj lojtarët në këtë fazë, atëherë më mirë të mos jem këtu. Nuk është e nevojshme – nuk ka qenë kurrë, edhe në momentet e vështira”.





