Mikel Arteta ka folur për sezonet e fundit të Arsenalit, ku sipas tij ekipi londinez e meritoi ta fitonte së paku dy herë titullin kampion në Ligën Premier.
Arsenali ishte i pafat në dy sezonet e fundit pasi përkundër edicionit thuajse perfekt, nuk arriti në fund të shpallej kampion, shkaku i një kundërshtari si Manchester City, i cili ishte thuajse i pagabueshëm.
Megjithatë, Arteta mendon se me pikët e mbledhura dhe rezultatet e marra, ekipi i tij është dashur të fitojë së paku dy herë trofeun e Ligës Premier.
“Çfarë keni mësuar gjatë dy sezoneve të fundit? Se ka gjithmonë vend për përmirësim dhe gjithmonë mund të bësh më mirë. Me rezultate të tilla, zakonisht fiton, duhet ta kishim fituar dy herë Ligën Premier”, ka thënë fillimisht Arteta
“Realiteti është se ne nuk e bëmë, kështu që kemi më shumë motivim, më shumë dëshirë, më shumë entuziazëm”.
“A mund ta shikojmë ekipin tonë dhe të themi se mund të përmirësohemi? Përgjigja ime është po, në çdo aspekt. Pra, le ta bëjmë atë”, përfundoi trajneri i Arsenalit.