Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar të përfshirë në dy raste të vjedhjeve të veturave.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, në muajin dhjetor të vitit 2022 janë iniciuar dy raste për vjedhje të veturave në qytetin e Gjakovës, ku është vjedhur një veturë e tipit Opel Corsa dhe një veturë e tipit VW Golf.
Më 7 janar, policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë të dyshuarit: A.L., dhe Sh.K., të dy shtetas të Republikës së Kosovës.
“Me datën 07.01.2023 Stacioni Policor në Gjakovë kanë arrestuar të dyshuarit: 1. A. L., banues në fshatin Carrabreg-Deçan, i lindur në vitin 1992 (shtetas i Republikës së Kosovës) dhe 2. Sh. K., banues në fshatin Kishnarekë-Drenas, i lindur në vitin 1990 (shtetas i Republikës së Kosovës), mbi dyshimin se të njëjtit ishin të përfshirë në kryerjen e veprës penale “Vjedhje” në dy rastet në fjalë. Në saje të hetimeve të zhvilluar është arritur të gjendën dhe sekuestrohen edhe të dy veturat e vjedhura”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të gjitha veprimet hetimore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me vendim të së cilit i dyshuari numër një është ndaluar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rast për vjedhjen e veturës, ndërsa ndaj të dyshuarit të dytë është iniciuar rasti “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Veturat e sekuestruara iu janë kthyer pronarëve nga të cilët janë vjedhur.