Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvend, duke thënë se qëndrimi i Aleancës nuk përbën bojkot të Kuvendit, por kundërshtim ndaj, siç i ka quajtur ai, “lojërave të ndyta të VV-së”.
“Aleanca nuk bojkotoi Kuvendin, por bojkotoi lojërat e ndyta të VV-së. Dje ndoshta dikush nuk e kuptoi, por sot e kuptoi se për çka ishte fjala”, ka shkruar Arifi.
Ai ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, partia fituese po e trajton procesin e konstituimit të institucioneve.
“Një parti, kudo në botë, kur i fiton zgjedhjet, ngutet ta përfundojë konstituimin e institucioneve, që të fillojë të qeverisë dhe ta realizojë programin me të cilin i ka fituar zgjedhjet”, ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, situata në Kosovë është e pazakontë, pasi besimi i qytetarëve, në vend se të përdoret për krijimin e institucioneve, po përdoret për përballje me opozitën.
“Kosova është vendi i vetëm në Evropë, e ndoshta edhe në botë, ku partia fituese besimin e qytetarëve e përdor për ta disiplinuar opozitën, në kurriz të institucioneve të shtetit”, ka shkruar ai.
Arifi ka thënë se Aleanca kishte paralajmëruar që nga muaji korrik se, sipas vlerësimit të saj, synimi nuk ishte krijimi i institucioneve.
“Aleanca ju ka paralajmëruar që nga korriku se këta nuk synojnë t’i krijojnë institucionet, por kërkojnë një fajtor për ta dërguar vendin në zgjedhje”, ka përfunduar Arifi.






