Ardian Gjini: Suksesi i medalistëve në “Taranto 2026”, motivim i madh para Lojërave Mesdhetare 2030

- Advertisement -

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka përgëzuar sportistët kosovarë për suksesin e arritur në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke vlerësuar kontributin e tyre në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gjini ka shprehur mirënjohje për të gjithë sportistët që e përfaqësuan Kosovën me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim, ndërsa falënderim të veçantë u ka adresuar medalistëve Donjeta Sadiku, Islam Selmani, Laura Fazliu, Kianoush Rostami, Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi dhe Shpati Zekaj.

“Sot, kur politikës kosovare po i bëhet gjithnjë e më e vështirë të depërtojë në institucionet ndërkombëtare, sportistët tanë, si ambasadorët më të mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, po hapin rrugë dhe po e përfaqësojnë Kosovën si shtet të barabartë me çdo shtet tjetër në botë”, ka thënë Gjini.

Ai ka theksuar se suksesi i sportistëve në “Taranto 2026” merr kuptim edhe më të madh për faktin se Lojërat e ardhshme Mesdhetare, në vitin 2030, do të zhvillohen në Kosovë.

Gjini ka vlerësuar se shteti duhet të jetë më pranë sportistëve dhe të krijojë kushte të denja për zhvillimin e sportit.

“Është detyrim i yni institucional t’u krijojmë kushte të dinjitetshme infrastrukturore dhe financim adekuat, në mënyrë që të krijojmë strategji të qëndrueshme shtetërore për sportin”, ka deklaruar ai.

Në fund, Gjini u ka uruar sportistëve kosovarë suksese të reja dhe triumfe të tjera në të ardhmen.

Të ngjashme

Të fundit