Arabia Saudite përmbyll sezonin e Haxhit me mbi 1.7 milion pelegrinë

- Advertisement -

Arabia Saudite ka njoftuar përfundimin me sukses të sezonit të këtij viti të Haxhit, duke deklaruar se një sistem i integruar sigurie, organizimi dhe shërbimesh u mundësoi pelegrinëve të kryenin ritualet me lehtësi.

Njoftimi u bë nga princi Saud bin Mishal bin Abdulaziz, zëvendësguvernator i rajonit të Mekës dhe zëvendëskryetar i Komitetit të Përhershëm për Haxhin dhe Umren, në një deklaratë televizive në prag të përfundimit të pelegrinazhit vjetor.

Princi Saud tha se sezoni i Haxhit 2026/1447 dëshmoi një sistem të integruar sigurie, organizimi dhe shërbimesh që u lejoi pelegrinëve të kryenin ritualet në mënyrë të qetë dhe të sigurt, shkruan Anadolu.

Ai theksoi se suksesi i Haxhit nuk shënon fundin e punës, por fillimin e përgjegjësive të reja, duke riafirmuar angazhimin e Arabisë Saudite për të ruajtur rolin e saj në shërbim të Islamit dhe muslimanëve.

Të martën, Autoriteti i Përgjithshëm i Statistikave i Arabisë Saudite tha se numri total i pelegrinëve këtë sezon arriti në 1 milion e 707 mijë e 301, përfshirë 1 milion e 546 mijë e 655 pelegrinë nga jashtë vendit që përfaqësonin 165 kombësi.

160 mijë e 646 pelegrinë të tjerë kryen Haxhin brenda Arabisë Saudite.

Totali e tejkaloi shifrën e vitit të kaluar prej 1 milion e 673 mijë e 230 pelegrinësh, por mbeti nën më shumë se 1.83 milion pelegrinë të regjistruar në vitin 2024.

Sezoni vjetor i Haxhit përfundon të shtunën.

Ritualet e Haxhit nisën zyrtarisht të hënën me mbërritjen e pelegrinëve në Mina, në perëndim të Arabisë Saudite, mes shërbimeve dhe masave të gjera të sigurisë për lehtësimin e pelegrinazhit.

Sezoni gjashtëditor i Haxhit përfshin qëndrimin në Arafat të martën, netët në Muzdelife, gurëzimin simbolik të shejtanit dhe tavafin e lamtumirës në Xhaminë e Madhe në Mekë.

Të ngjashme

Të fundit