Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Qëllimi i këtij takimi ka qenë diskutimet mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, reformat dhe bashkëpunimin rajonal.
Presidenti Begaj ka thënë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet objektivi strategjik i vendit.
Teksa e cilësoi anëtarësimin në BE edhe si proces transformues për sa i përket forcimit të institucioneve, demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve, Begaj vuri në dukje se Shqipëria ka përparuar ndjeshëm në procesin negociues drejt finalizimit.
“Shqipëria i qaset këtij procesi me besim, por edhe me një kuptim të qartë të përgjegjësisë që ai mbart. Ambicia jonë është të ruajmë ritmin dhe të vazhdojmë përparimin drejt mbylljes së të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027”, theksoi Begaj.
Gjatë takimit, ai nënvizoi se sundimi i ligjit, reforma në drejtësi, si dhe forcimi i institucioneve demokratike mbeten përparësi themelore.
Presidenti Begaj rikonfirmoi qëndrimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE bazuar në meritë dhe rezultate konkrete.
“Ne besojmë, se e vetmja rrugë e qëndrueshme është ajo e reformave konkrete. Jo vetëm të bëjmë ligje, por të rrisim standardet sipas atyre evropiane dhe t’i vëmë në zbatim”, tha ai.
Ai riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar rrugën e saj evropiane me përgjegjësi dhe përkushtim, duke kontribuuar njëkohësisht në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe të Evropës.






