Ancelotti konfirmon ndryshimet në formacion për ndeshjen e Brazilit ndaj Haitit

- Advertisement -

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti ka konfirmuar se do të bëjë “disa ndryshime” për ndeshjen e dytë në fazën e grupeve të Kupës së Botës ndaj Haitit, duke theksuar se skuadra duhet të gjejë zgjidhje pas nisjes së dobët në turne.

Brazili përballet me Haitin të shtunën, më 20 qershor, pasi në ndeshjen e parë barazuan 1-1 ndaj Marokut në një ndeshje ku kundërshtarët dominuan për pjesën më të madhe të lojës.

“Do të bëjmë disa ndryshime, ndoshta do të sjellim lojtarë më të freskët. Duhet të përmirësojmë ekuilibrin dhe cilësinë e lojës. Të bëjmë më pak gabime. Kemi cilësinë për ta bërë këtë,” tha Ancelotti.

Ai shtoi se nuk ka probleme me komunikimin me lojtarët dhe se preferon t’u tregojë vendimet fillimisht atyre para se t’i bëjë publike.

“Unë preferoj t’ua them lojtarëve fillimisht. Futbolli nuk ka sekrete,” tha ai.

Ancelotti pranoi se ndeshja ndaj Marokut nuk shkoi mirë dhe se ekipi duhet të përmirësohet.

“Duhet të gjejmë një zgjidhje. Kemi punuar këto ditë për ta rregulluar situatën dhe besoj se do t’ia dalim, sepse kam besim se ekipi do të jetë konkurrues në këtë Botëror,” shtoi ai.

Sipas “Gazzetta”, priten tre ndryshime në formacionin e Brazilit.

Douglas Santos do të zëvendësojë Alex Sandron në krahun e majtë të mbrojtjes; Fabinho pritet të marrë vendin e Casemiro në mesfushë; Luiz Henrique do të zëvendësojë Lucas Paquetán; Endrick pritet të mbetet në stol.

Ancelotti theksoi gjithashtu rëndësinë e respektit ndaj kundërshtarëve, duke vlerësuar Haitin si një skuadër të organizuar dhe fizikisht të fortë.

“Duhet të respektojmë të gjithë, sepse është Kupa e Botës dhe të gjithë janë shumë të motivuar,” tha ai.

Formacioni i mundshëm i Brazilit ndaj Haitit (4-2-4):

Alisson; Danilo, Marquinhos, Gabriel, Douglas Santos; Fabinho, Bruno Guimarães; Raphinha, Vinícius, Matheus Cunha, Luiz Henrique.

Të ngjashme

Të fundit