Carlo Ancelotti e udhëhoqi Real Madridin drejt titullit të 15-të të Ligës së Kampionëve në histori të klubit, pasi fituan me rezultat 2-0 në finale ndaj Borussia Dortmundit.
Ani pse nuk ishte një natë e lehtë, veçanërisht në pjesën e parë, ‘Los Merengues’ ishin në gjendje të merrnin fitoren falë golave nga Dani Carvajal dhe Vinicius Jr.
Për më shumë, Ancelotti e zgjeroi rekordine tij si trajneri më i suksesshëm në histori të kësaj gare, duke e ngritur në qiell këtë trofe për herë të pestë. Trashëgimia e tij është e jashtëzakonshme dhe me ardhjen e Kylian Mbappe, ky numër mund të vazhdojë të rritet.
Sidoqoftë, triumfi i Real Madridit pati edhe një anë të hidhur për shkak të pensionimit të Toni Kroos. Mesfushori gjerman njoftoi se finalja e Ligës së Kampionëve do të ishte ndeshja e tij e fundit në nivel klubesh dhe se lamtumira e fundit do të jetë me Gjermaninë gjatë Euro 2024.
Përkundër kësaj, Carlo Ancelotti nuk po dorëzohet dhe në javët në vazhdim, mund të bëjë një përpjekje të fundit për ta bindur Toni Kroos që të qëndrojë. Italiani ka pranuar se ky është qëllimi i tij pas finales së ‘Wembley’.