Analistët: Zgjedhjet e shpeshta po krijojnë kosto të mëdha financiare

- Advertisement -

Qeveria në detyrë ka miratuar ndarjen e mbi 10 milionë e 800 mijë eurove për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

Vendimi është marrë në një mbledhje elektronike të ekzekutivit, ndërsa mjetet janë ndarë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor.

Në anën tjetër, sot përfundon afati për subjektet politike për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se në zgjedhjet e 7 qershorit pritet të garojnë 27 subjekte politike, përfshirë parti politike, koalicione, nisma qytetare dhe kandidatë të pavarur.

Sipas tij, Procedura e aplikimit po zhvillohet përmes platformës elektronike, njësoj si në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndërkohë, analistët politikë vlerësojnë se mbajtja e zgjedhjeve të shpeshta po krijon kosto të mëdha financiare për vendin.

Analisti, Mazllum Baraliu nuk pret zgjidhje nga zgjedhjet e parakohshme.

“Unë nuk pres asgjë duke e njohur mirë këtë klasë politike, përveç se shoh se bëhen riformatizime, ri-prurje me deputetë të rinj të cilët mund të ndikojnë në lidershipet e tyre për të ndryshuar qëndrime dhe për të qenë më konstruktiv në favor të Republikës dhe jo të benificioneve të pushtetit të tyre“, ka thënë Baraliu.

Skeptik që zgjedhjet do të prodhojnë zgjidhje, shprehet edhe analisti, Sadik Zeqiri.

“Mendoj që duhet të pjekën politikisht partitë politike dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët të fillojnë bashkëpunimin menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të kuvendit. Asnjë subjekt politik që do të del nga 7 qershori me vota nuk do të ketë garanci që të krijojë institucionet edhe të presidentit, të qeverisë dhe të kryetarit të kuvendit”, ka thënë Zeqiri.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor 2026.

Të ngjashme

Të fundit