Analistët braktisin debatet televizive: Pesë prej tyre futen në listat zgjedhore të partive politike

- Advertisement -

Emisionet televizive politike sërish janë “goditur” nga partitë politike.

Kjo pasi subjektet politike edhe për zgjedhjet e 7 qershorit ua kanë verë syrin analistëve politikë. Deri me tani 5 analistë, mysafirë të rregullt të këtyre debateve, kanë treguar se do të jetë pjesë e listave të partive për deputetë.

I fundi që e ka konfirmuar një gjë të tillë është Avni Arifi.

Analisti i rregullt i emisioni “Rubikon” mbrëmë ka treguar se për këto zgjedhje do të jetë pjesë e listës së AAK-së.

“Ky është emisioni i fundit si opinionist. Do t`i bashkohet AAK-së në garën e 7 qershorit”, ka thënë Arifi.

Edhe një analist tjetër i këtij emisioni mbrëmë ka treguar se do të jetë kandidat i LDK-së për deputet.

Bardhyl Hasanpapajn ka bërë me dije se do të jetë në listën e Vjosa Osmanit.

“Do të jem pjesë e ekipes së presidentes Osmani në këtë garë në listën e LDK-së “, ka thënë ai.

Ditë me parë, edhe Aida Dërguti, analiste e përhershme e emisionit Ribikon, ka zyrtarizuar rikthimin në politikë.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka vlerësuar lartë Dërgutin.

“Sot e mirëprita në Partinë Demokratike të Kosovës, Aida Dërgutin, një aktiviste të dalluar dhe qytetare të përgjegjshme, para se të jetë politikane. Një zonjë që, për dekada me radhë, ka pasur vetëm një qëllim: t’i shërbejë Kosovës, në çfarëdo kapaciteti që i është besuar. Për Aidën, siç e dinë të gjithë, drejtësia është mbi të gjitha detyrë. Dhe, në këtë mision, do të punojmë bashkë”, ka shkruar Hamza.

Javën e kaluar edhe analisti Shemsi Jashari ka bërë me dije se i është bashkuar PDK-së.

“Sot, pas një rrugëtimi si aktivist, luftëtar, pjesëtar i sektorit të sigurisë dhe akter institucional, kam vendosur ta vazhdoj angazhimin tim në politikë përmes Partisë Demokratike të Kosovës – PDK, si kandidat për deputet në zgjedhjet nacionale. Këtë hap nuk e shoh si privilegj personal, por si përgjegjësi ndaj njerëzve që për vite me radhë më kanë mbështetur, besuar dhe inkurajuar të mos tërhiqem nga angazhimi publik. Ky vit shënon tri dekada angazhim në rrugëtimin tim jetësor e publik. Një rrugëtim që nisi si fëmijë i një familjeje të zakonshme nga Llapi, kur me autobusin lokal udhëtoja drejt Prishtinës për të shitur qumësht e djathë në treg, ashtu si shumë familje shqiptare të asaj kohe”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Se fundi, edhe analisti Visar Xani, ka njoftuar se do të jetë pjesë e listës së Vjosa Osmanit.

Ish-presidentja ka treguar pse vendosi bashkëpunimin me Xanin.

“Për më shumë se tetëmbëdhjetë vjet, puna e Visar Xanit lidhet ngushtë me fjalën publike. Visari i përket atij brezi që e njohu Kosovën në lëvizje, në debat, në përpjekjen e saj të vazhdueshme për t’u bërë shtet më i fortë e më i drejtë. Fillimisht si gazetar e analist politik, me syrin kritik ndaj zhvillimeve shoqërore e politike, e më pas brenda vetë institucioneve, aty ku fjala duhet të shndërrohet në përgjegjësi dhe puna në rezultat”, ka shkruar Osmani.

Edhe në zgjedhjet e kaluar analistët politikë kanë qenë “gjah” i mirë për partitë politike. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit