Aleksandar ‘Sasha’ Kasanof është emëruar Zëvendës Asistant Sekretar amerikan i Shtetit për çështje me Ballkanin Perëndimor, në pozitën që deri në muajin maj e kishte mbajtur emisari Gabriel Escobar.
Kjo u njoftua në uebsajtin e DASh-it, ku edhe jepet historiku i angazhimev të Kasanof si zyrtar në shumë pozita brenda këtij institucioni.
“Alexander ‘Sasha’ Kasanof është Zëvendës Ndihmës Sekretari për Ballkanin Perëndimor si dhe për Shtypin dhe Diplomacinë Publike në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Ai ka shërbyer më parë si Asistent Ekzekutiv i ish Nënsekretares për Çështjet Politike Victoria Nuland dhe Ushtruese e Detyrës së Nënsekretarit për Çështjet Politike John Bass. Sasha ka shërbyer jashtë shtetit në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë”.
“Ai mori çmimin James Clement Dunn për ekselencë për punën e tij si Këshilltar Politik në Ambasadën e SHBA-së në Kiev gjatë Revolucionit Maidan dhe pushtimit pasues të Rusisë në Ukrainë. Detyrat e Sasha në Uashington përfshijnë: Drejtor i Zyrës së Politikave dhe Programeve Globale në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Zëvendësdrejtor i Stafit të Sekretariatit Ekzekutiv (“Linja”), Drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Lindore dhe Zëvendësdrejtor i Zyrës së Çështjeve të Kaukazit dhe Konflikteve Rajonale. Ai është i diplomuar në Kolegjin Kombëtar të Luftës, Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare dhe Kolegjin Hamilton. Sasha flet frëngjisht, italisht, rusisht dhe spanjisht”, thuhet në njoftim.