Aleanca nuk do të shkojë në takimin në të cilin i ftoi sërish sot kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kjo parti e ka refuzuar ftesën e Kurtit, sikurse herën e parë, merr vesh Gazeta Express.
Në ftesën dërguar Gjinit, Kurti i kërkon atij takim për nesër apo të mërkurën pasdite.
“I nderuar z. Ardian Gjini, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Uroj që kjo letër t’ju gjejë mirë. Meqë për ditën e enjte, më 6 gusht, e kemi seancën për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së 11-të, ju ftoj për takim në Kryeministri, për të biseduar për rrugën përpara, në formatin 1+1, pra ju si kryetar dhe një bashkëpunëtor i juaji, nesër, të martën, në ora 18:00 ose 19:00, apo të mërkurën pasdite në 14:00, 15:00, 16:00 ose 17:00. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes. Sinqerisht, Albin Kurti”, thuhet në letrën e Kurtit.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin të paqasshëm për t’iu përgjigjur interesimit të gazetës për këtë çështje.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca paralajmëroi sot më herët negociata “më të thelluara” me LDK-në këtë javë. Ai tha për T7 se pritet të ketë takime për formimin e institucioneve para seancës konsituive të Kuvendit, e cila do të mbahet të enjten.
“Unë pres që në ditët në vijim, bile edhe para mbajtjes së seancës, të ketë edhe takime të tjera të nivelit politik mes partive politike, krejt me qëllimin që të zgjidhet kjo situatë në të cilën ndodhemi dhe t’i jepet mundësia krijimit të institucioneve të reja”, tha ai.
Në ditët në vijim, Konjufca tha se pret që LVV-ja t’i dërgojë ftesë LDK-së për bisedime.
“Kjo është arsyeja pse 6 gushti u caktua, siç e keni parë, dhe pres që në ditët në vijim edhe t’i dëgohet ftesa Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të kemi bisedime sa i përket kësaj mundësie”, tha ai.
I pyetur nëse pas konstituimit të Kuvendit pret që institucionet e tjera të formohen shpejt, Konjufca tha se është shumë optimist që me LDK-në do ta arrijnë një marrëveshje “për të gjitha pozitat e larta”.
“Po, edhe për Presidentin ka shpresa. Ne do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës, qysh e ka shpjegu edhe vetë kryeministri, edhe pastaj të shohim se çfarë epilogu po sjell ky proces”, tha ai.
“Qëllimi ka qenë, edhe prej anës së LDK-së, është shpjeguar prej Kryesisë së kësaj partie që do të jenë të gatshëm të bisedojnë me Lëvizjen Vetëvendosje. Pas kësaj, atëherë, jam shumë optimist që do të kemi një marrëveshje për të gjitha pozitat e larta në Republikën e Kosovës. Do të kemi një zgjidhje besoj”, shtoi Konjufca.






