Në këtë incizim, Halil Thaçi, tash kyretar i Obiliqit, pretendon se kryeministri Albin Kurti kishte ndikuar në hapjen e një konkursi për 150 vende pune në KEK.
Sipas rrëfimit të Thaçit, konkursi ishte hapur gjatë fushatës së balotazhit për zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur ai garonte për kryetar të Obiliqit.
Madje, Thaçi pretendon se Kurti ia kishte hapur konkursin posaçërisht për qytetarët e Obiliqit, me synimin që t’i ndihmonte në garën zgjedhore.
“Kur i humbëm zgjedhjet në 2021-ën, në balotazh, ishte… e çeli Albini konkursin në balotazh”, dëgjohet duke thënë Thaçi.
Ai rrëfen edhe një bisedë që pretendon se e kishte zhvilluar me Kurtin.
“Edhe më tha: ‘Hajde po e çelim këtë konkurs.’ Tha edhe: ‘Hupe, fitove, rriju në fjalë njerëzve sa të mundesh.’”
Konkursi për 150 vende pune në KEK ishte hapur më 6 nëntor 2021, vetëm tetë ditë përpara balotazhit të 14 nëntorit.
Thaçi përfundimisht i kishte humbur zgjedhjet përballë Xhafer Gashit, por, sipas rrëfimit të tij, përpjekjet për punësime kishin vazhduar.
Ai tregon se dy ditë pas humbjes kishte shkuar në KEK për t’u interesuar për konkursin.
Atje, sipas tij, ishte takuar me ish-kryeshefin Nagip Krasniqi, i cili e kishte udhëzuar të bisedonte me drejtuesin e Zyrës Ligjore.
Gjatë takimit, siç pretendon Thaçi, zyrtari i kishte ofruar mundësinë e punësimit të shtatë apo tetë personave.
“Tha: ‘Hajt shko gjej nja 7-8 vetë, e bëjmë disi.’”
Megjithatë, Thaçi pretendon se kishte këmbëngulur që të gjitha vendet e punës t’u takonin banorëve të Obiliqit.
“I thashë: ‘Ngom. Po janë bre 150, më ka thënë Albini, të Obiliqit.’”
Sipas tij, zyrtari kishte kundërshtuar, duke i thënë se KEK-u nuk ishte ndërmarrje vetëm e Obiliqit.
“‘Ngom,’ thashë, ‘ti djalë. Jo 7 a 8. As 149, jo. Fiks 150 kanë me qenë të Obiliqit.’”
“Albin Kurti mua ma ka çelë këtë konkurs veç për Obiliq”, pretendon më tej Thaçi.
Por pretendimet e tij nuk ndalen këtu.
Në incizim, Thaçi flet edhe për numrin e personave që, sipas tij, kishin arritur të punësoheshin përmes konkursit.
“127 janë hy. 96 kanë qenë të Obiliqit.”
Ai pretendon se një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve kishin qenë përfitues të asistencës sociale.
“I kemi shti do njerëz, që prej 96-ve, 64 kanë qenë me asistencë sociale.”
Thaçi përmend edhe persona të tjerë që, sipas tij, nuk kishin arritur të punësoheshin për shkak të mungesës së njohurive për përdorimin e kompjuterit.
“Janë nja 7 a 8 që na kanë mbetë. S’po dinë, o burrë! Po del në kompjuter, s’po i afron, badihava… s’dinë as imellë me çu.”
Çfarë ndodhi me rastin?
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur hetime për këtë konkurs në prill të vitit 2022.
Më 5 prill 2022, kryeministri Albin Kurti kishte mohuar publikisht punësimin e militantëve partiakë në këtë ndërmarrje.
“Nuk ka punësim të militantëve. Ka komisione të cilat e bëjnë një vlerësim, pasi që ka teste edhe me shkrim, edhe me intervistim, dhe gjithashtu ka edhe të drejtë ankese”, kishte deklaruar Kurti.
Një muaj më vonë, në maj të vitit 2022, konkursi ishte anuluar, ndërsa procedura e rekrutimit ishte kthyer në pikën fillestare.
Audio-incizimi i publikuar nga VOX Kosova sjell pretendime të reja për këtë proces, ndërsa mbetet e paqartë nëse organet e drejtësisë i kanë shqyrtuar deklarimet e Thaçit.






