Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi interesimi për shërbimet e tij nga Arabia Saudite është rikthyer.
Sipas mediumit “TalkJuve”, klubi Al-Ittihad është duke përgatitur një ofertë të re për transferimin e futbollistit kosovar.
Skuadra nga qyteti i Xhedës e kishte shprehur interesimin për 27-vjeçarin edhe gjatë afatit kalimtar të verës, madje kishte tentuar ta siguronte shërbimin e tij, por negociatat nuk kishin përfunduar me marrëveshje.
Tashmë, drejtuesit e Al-Ittihadit janë të gatshëm të rikthehen me një ofertë të re në merkaton e dimrit, me synimin që Zhegrova të bëhet pjesë e skuadrës së tyre.
Në anën tjetër, sipas raportimit, as vetë futbollisti nuk është kundër ndryshimit të ambientit, pasi kërkon më shumë hapësirë dhe minuta të rregullta në fushën e lojës.
Mbetet të shihet nëse këtë herë Juventusi do të jetë i gatshëm ta lejojë largimin e reprezentuesit të Kosovës dhe nëse palët do të arrijnë marrëveshje për transferimin e tij në Arabinë Saudite.






