Për shkak të mungesës së anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, në rastin ku ai po akuzohet për sulm ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha në selinë e KQZ-së, është shtyrë seanca e planifikuar për ditën e sotme ndaj tij.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Kurteshi, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj tha se i njëjti kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe se mungesën e tij nuk e ka arsyetuar. Ai shtoi se nëse i njëjti nuk do të arsyetoi mungesën brenda pesë ditësh gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim për seancën e radhës.
Në këtë seanca prezantuan prokurorja Elza Bajrami dhe i dëmtuari Berisha, ndërsa seanca e radhës për këtë çështje u shty për një datë tjetër.
Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila e ngarkon të akuzuarin Sami Kurteshi me veprën penale “Sulmi”, rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.