Në një intervistë për “Nacionale”, Bosch e ka cilësuar shqetësues faktin që dëshmitë e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, sipas tij, janë anashkaluar.
Fjala është për figura të larta si Wesley Clarke, James Rubin e Christopher Hill, si dhe dokumente të CIA-s të kohës që konstatonin se s’ka strukturë të qendërzuar komandeje të UÇK-së.
“Po flasim për njerëz të niveleve të larta, dhe nëse i injoroni ato, ju de facto po u thoni atyre gënjeshtarë”, tha Bosch.
Ai përmendi edhe informacionet që, sipas tij, kishin institucionet perëndimore dhe CIA-ja mbi strukturën dhe mënyrën e funksionimit të UÇK-së.
Bosch kujtoi se vetë kishte qenë person kontakti për ministritë holandeze të Brendshme dhe të Jashtme gjatë periudhës së luftës.
“Dhe çështja në të vërtetë ishte që ishte shumë e vështirë të komunikoje me UÇK-në, ishte tepër vështirë”, deklaroi ai.
Sipas Boschit, kjo përvojë bie ndesh me përfundime që sugjerojnë një strukturë të centralizuar dhe komunikim funksional në rrethanat e vitit 1999.
“Është e çuditshme pra ta lëshë këtë mënjanë. Mendoj se është jashtëzakonisht e çuditshme fyese”, tha ish-ambasadori holandez.
Ai tha se një pjesë e pjesëtarëve të UÇK-së bashkëpunonin me NATO-n gjatë asaj periudhe.
“Kjo është edhe fyese për NATO-n. Është shumë fyese”, u shpreh Bosch për “Nacionale”.
Bosch theksoi gjithashtu kushtet e komunikimit në Kosovën e vitit 1999, duke përmendur mungesën e rrjeteve funksionale telefonike dhe mbulimin minimal.
“Ne flasim për vitin 1999 dhe në vendin tuaj nuk kishte as rrjete telefoni”, tha ai.
I pyetur nëse aktgjykimi, sipas tij, prek në mënyrë indirekte edhe NATO-n, Bosch tha se Aleanca duhej të reagonte publikisht.
“Prandaj mendova se edhe NATO-ja duhej të dilte të thoshte se natyrisht kjo është skandaloze”, deklaroi ai.
“Sigurisht që NATO nuk punon me kriminelë”, shtoi Bosch.
Ai pranoi mundësinë që individë të UÇK-së të kenë kryer krime, por kundërshtoi idenë se ato ishin të organizuara.
“Mund të ketë pasur ndonjë krim nga ndokush i UÇK-së, por jo të organizuar”, përfundoi Bosch.






