Aktakuza u referohet ngjarjeve gjatë viteve 1998-1999, ku sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë pasur role të ndryshme në strukturat e atëhershme të forcave serbe.
Sipas aktakuzës, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.C., si komandant i njësive të Policisë së Posaçme (PJP) dhe M.D., si komandant i Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me pjesëtarë të këtyre njësive, dyshohen për pjesëmarrje në një operacion të gjerë ushtarako-policor gjatë të cilit, sipas Prokurorisë, u vranë 107 civilë.
Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij operacioni, të pandehurit fillimisht kishin ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë, sipas përshkrimit të Prokurorisë, ishin plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat ishin ekzekutuar në disa lokacione, përfshirë shtëpitë, oborret e tyre dhe lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”.
Po ashtu, sipas aktakuzës, gjatë këtij operacioni ishin djegur edhe shtëpi të banorëve civilë.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ndaj të pandehurve është propozuar zhvillimi i gjykimit në mungesë.






