“Akt i turpshëm”, reagime të shumta pas heqjes së flamurit izraelit nga protestuesit në Tiranë

- Advertisement -

Heqja e flamurit izraelit nga protestuesit në Tiranë ka nxitur reagime të shumta në Shqipëri.

Në mesin e atyre që kanë reaguar ka qenë edhe ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Në një deklaratë, ambasadorja tha se respekton të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të protestuar, por e cilësoi grisjen e flamurit si një veprim që nuk i shërben debatit publik dhe dëmton imazhin e Shqipërisë.

“Si ambasadore e një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një veprim i tillë jo vetëm që nuk e çon përpara protestën publike, por gjithashtu turpëron popullin shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare”, u shpreh Peleg.

Ambasadorja falënderoi gjithashtu reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, e cila e dënoi një akt të tillë.

Përmes një reagimi në Facebook, Ministria e Jashtme ka thënë se ky veprim nuk përfaqëson Shqipërinë e as popullin shqiptar dhe bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes.

Ndërsa, Albana Koçiu, zëvendëskryeministre e Shqipërisë, ka deklaruar se heqja e flamurit izraelit nga godina e Ambasadës së Izraelit në Tiranë është një akt i papranueshëm provokimi.

Sipas saj, ky veprim cenon normat themelore të respektit ndaj përfaqësive diplomatike dhe bie ndesh me frymën e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Gjithashtu, ka reaguar edhe Komuniteti Hebraik Shqiptar, i cili shprehu tronditjen, indinjatën dhe shqetësimin e tij më të thellë për aktin.

Sipas reagimit, ky nuk është thjesht një incident, por ky është një sinjal alarmi.

“Përdhosja e flamurit të një shteti sovran dhe mik të Republikës së Shqipërisë nuk është një formë proteste. Është një akt urrejtjeje, një sulm ndaj normave të së drejtës ndërkombëtare, ndaj misioneve diplomatike dhe ndaj vetë kulturës së tolerancës që ka bërë Shqipërinë të nderohet në mbarë botën”, thuhet në reagimin e Komunitetit Hebraik Shqiptar.

Sipas KHSh akoma më alarmuese janë deklaratat e dëgjuara nga foltorja e protestës, ku sipas komitetit, persona të caktuar shpallën publikisht se “Izraeli është armiku ynë.”

“Kjo është një gjuhë e rrezikshme, përçarëse dhe nxitëse e urrejtjes, e cila synon të importojë në Shqipëri konflikte dhe narrativa ekstremiste që nuk kanë pasur kurrë vend në shoqërinë shqiptare”, thuhet ndër të tjerash në reagim.

Të ngjashme

Të fundit