AKK akuzon MAPL-në për shkelje të Ligjit për Ndarjet Buxhetore: Po u hiqen komunave 2 milionë euro të miratuara nga Kuvendi

- Advertisement -

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Qeverisë së Kosovës, duke i akuzuar se kanë reduktuar në mënyrë të njëanshme fondet e Grantit të Performancës Komunale nga 4 milionë euro në 2 milionë euro, ndonëse, sipas AKK-së, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar me ligj 4 milionë euro për këtë program.

Përmes një komunikate, Bordi i AKK-së e cilësoi këtë veprim si shkelje të ligjit dhe cenim të sigurisë juridike e financiare të komunave.

“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj veprimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila ka reduktuar në mënyrë të njëanshme fondet e Grantit të Performancës Komunale nga 4 milionë euro në 2 milionë euro, ndonëse Kuvendi i Republikës së Kosovës, me Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, ka miratuar qartë shumën prej 4,000,000 euro për Programin e Grantit të Performancës Komunale. Pa rishikim të buxhetit të Republikës së Kosovës nga ana e Parlamentit, ky ndryshim ligjor nuk mund të bëhet. Ky veprim është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit dhe cenon rëndë sigurinë juridike dhe financiare të komunave”, thuhet në reagim.

AKK thekson se vetëm Kuvendi ka kompetencë për të miratuar ose ndryshuar ndarjet buxhetore dhe se asnjë ministri nuk mund të ndërhyjë në fondet e miratuara me ligj.

“Kuvendi është institucioni i vetëm që miraton ndarjet buxhetore me ligj, ndërsa asnjë ministri nuk ka mandat të ndryshojë apo të përgjysmojë fondet e miratuara nga Kuvendi. Mjetet prej 4 milionë euro janë miratuar me ligj dhe janë të dedikuara ekskluzivisht për Grantin e Performancës Komunale. Vetë Ligji për Ndarjet Buxhetore e identifikon këtë program si projekt të veçantë kapital në kuadër të MAPL-së. Komunat, sipas legjislacionit për financat lokale, duhet të kenë siguri dhe parashikueshmëri buxhetore për të planifikuar investimet dhe projektet e tyre. Ndryshimi i rregullave gjatë vitit cenon drejtpërdrejt këtë parim. Ky precedent krijon pasiguri për të gjitha komunat dhe rrezikon besueshmërinë e sistemit të financimit lokal”, thuhet më tej.

Bordi i AKK-së i ka bërë thirrje MAPL-së dhe Qeverisë që të rikthejnë fondin e plotë të miratuar dhe ka paralajmëruar veprime institucionale nëse kjo nuk ndodh.

“Prandaj, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkon rikthimin e menjëhershëm të shumës së plotë prej 4 milionë euro, ashtu siç është miratuar me Ligjin për Ndarjet Buxhetore, ndalimin e çdo veprimi administrativ që bie ndesh me ligjin dhe cenon autonominë financiare të komunave, si dhe respektimin e plotë të vendimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të parimeve të shtetit ligjor. AKK rezervon të drejtën që, në bashkëpunim me komunat, të ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale dhe juridike për mbrojtjen e interesit të komunave dhe zbatimin e ligjit. Ligji duhet të respektohet nga të gjithë, e veçanërisht nga institucionet që kanë për obligim ta zbatojnë”, thotë reagimi.

Të ngjashme

Të fundit