Ajvazi: Gazi amerikan është anashkaluar totalisht në strategjinë për energji të qeverisë Kurti

- Advertisement -

Kushtrim Ajvazi, ekspert financiar, në EURO n’T7 ka folur për strategjinë për energji që kishte qeveria Kurti dhe për ekspozenë e tij në ditën kur u votua Kurti 3.

Sipas tij, strategjia për energji dhe ekspozeja e Kurtit, edhe pse janë bërë nga një njeri, duken sikur janë bërë nga dy persona që kanë kundërshtime të mëdha mes vete.

Ajo që sipas tij vërehet në strategjinë për energji është se gazi amerikan nuk përmendet askund.

“Aty në strategji është totalisht i anashkaluar si burim i energjisë gazi, përmendet në disa paragrafë dhe asgjë tjetër. Pse e kemi anashkaluar komplet gazin amerikan, për të cilin tash Shqipëria e mori dhe nënshkroi kontratë 6 miliardë euro? Deri në fillimin e luftës në Iran, Katari ka qenë eksportuesi kryesor i gazit të lëngshëm (LNG), tash janë SHBA-të dhe tani po bëhet punë shumë e madhe që të nënshkruhen sa më shumë kontrata me ta, ndërsa ne e kemi anashkaluar totalisht”, ka thënë Ajvazi.

Sipas Ajvazit, po të implementohej projekti i mëhershëm i gazit amerikan, do të ulej sasia e importit të energjisë, sepse energjia elektrike do të përdorej shumë më pak për ngrohje, dhe këtë e dëshmon kryeqyteti.

“Se energjia elektrike është përdorur shumë më pak për ngrohje vërehet në Prishtinë, pasi që janë bërë lidhjet e ndërtesave kolektive me Termokos. Fatura e energjisë elektrike ka rënë në ato vende ku janë bërë këto lidhje, sepse nuk është përdorur për ngrohje”, ka shtuar Ajvazi.

Të ngjashme

Të fundit