Ali Ahmeti, një nga themeluesit dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ka komentuar aktgjykimin e dënimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ahmeti ka thënë se shqiptarët historikisht kanë përjetuar tragjedi si pasojë e vendimeve të të huajve, të cilët, sipas tij, nuk e kanë njohur realitetin në këto troje.
“Të huajt, duke e mosnjohur realitetin, na kanë bërë edhe tragjedi më të mëdha. Na kanë copëtuar”, është shprehur Ahmeti.
Duke e lidhur këtë me historinë e copëtimit të tokave shqiptare, Ahmeti e ka cilësuar si padrejtësi edhe aktgjykimin e dhënë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Në suaza të kësaj tragjedie të copëtimit historik që ka ndodhur të tokave shqiptare, ta marrim edhe këtë padrejtësi që u bë dje në këtë gjykatë”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, Ahmeti ka bërë thirrje që, pavarësisht zhvillimeve, të mos humbet orientimi dhe përcaktimi politik.
“Mirëpo nuk duhet humbur as orientimi, as përcaktimi ynë. Por, të vazhdohet me racionalitet, me diplomaci dhe politikë të qëndrueshme, të shëndetshme”, ka thënë Ahmeti.
Ai është shprehur se çështja duhet të vazhdojë përmes rrugëve ligjore dhe institucionale, duke shpresuar që në shkallën e dytë të gjykimit e drejta të dalë në sipërfaqe.
“Që në shkallën e dytë të apelit, e drejta të dalë në sipërfaqe”, ka shtuar Ahmeti.





