I ftuari i parë i sezonit të ri të emisionit “Goca dhe Gra” ishte aktori i mirënjohur Agron Llakaj, i cili gjatë bisedës me katër bashkëmoderatoret komentoi edhe situatën e krijuar pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjet të videove intime ku janë përfshirë disa personazhe të njohura.
I pyetur nga Ema Andrea për mënyrën se si ndihet përballë kësaj situate, duke qenë se i njeh personalisht disa prej personave të përfshirë, Llakaj tha se mënyra se si ka ndodhur gjithçka e ka kaluar atë që mund të konsiderohet thjesht një ngjarje për t’u komentuar publikisht.
“Mendoj se për natyrën si ndodhi, e kaloi parametrin e një ngjarjeje që mund ta komentosh. Megjithatë, unë nga natyra jam anti-popullor. Mendoj se ne shqiptarët kemi lindur vetëm për të sharë. Më duket se jemi një popull i nevrikosur”, u shpreh aktori.
Llakaj tha se njohja e tij me personat e përfshirë e bën edhe më të vështirë për të që të japë një opinion publik mbi situatën.
“Kam konflikt interesi se i njoh personat. Është jashtë çdo imagjinate. Nuk do të kisha dashur që një koment i imi të zinte një vend në këtë emision ‘Goca dhe Gra’. E jashtëzakonshme, shumë e rëndë, ‘no comment’ më vjen të them”, deklaroi ai.
Aktori foli edhe për mënyrën se si publiku reagon në rrjetet sociale, duke thënë se shpeshherë njerëzit përballen me komente dhe kritika edhe kur ndajnë momente të zakonshme nga jeta e tyre.
“Ne nuk pyesim për lirinë. Po deshe, provo dhe hidh në Instagram dhe Facebook, shko në plazh, hidh një foto me familjen dhe thuaj ‘sa ditë e bukur’, të vijnë mesazhe ‘çfarë thua ti, njerëzit nuk kanë për të ngrënë’. Tani mendoj, ta hedh apo jo”, tregoi Llakaj.
Ai rrëfeu edhe një rast të fundit kur kishte publikuar një postim në rrjetet sociale dhe vajza e tij e kishte telefonuar për t’i kërkuar që ta fshinte.
“Hodha një postim sot në drekë, më mori vajza në telefon: ‘Hiqe’”, tregoi ai, duke shpjeguar se shpesh edhe familjarët ndikojnë në mënyrën se si ai sillet në rrjetet sociale.
Në vijim, Llakaj u ndal te klima e përgjithshme e shoqërisë, duke bërë thirrje për më shumë mirësi dhe dashuri dhe më pak urrejtje.
“Më shumë ka urrejtje se dashuri. Jetën një herë na e jep Zoti, falni më shumë dashuri, mirësi, larg urrejtjes”, u shpreh aktori, duke iu referuar edhe një kënge të Aurela Gaçes.






