Agjencia e Kosovës për Akreditim pranohet zyrtarisht në Amerikë

- Advertisement -

Bordi i Këshillit për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në SHBA e ka pranuar për shtatë vjet (deri me 31.12.2033) Agjencinë e Kosovës për Akreditim, me statusin e “autoritetit akreditues” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Siç njofton kjo agjenci, në njoftimin zyrtar të dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi, Loretta C. Waldron, Zëvendëspresidente për Shërbime të Njohjes në Këshillin për Akreditimin e Arsimit të Lartë në SHBA, konfirmon se “Bordi i Drejtorëve të CHEA-s ka miratuar rekomandimin e Komitetit dhe e ka njohur Agjencinë e Kosovës për Akreditim si autoritet akreditues”.

Bëhet e ditur se Kosova është shteti i parë dhe i vetëm aktualisht në Evropë me këtë status të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo njohje nga SHBA-të vjen më pak se një vit pasi Agjencia e Kosovës për Akreditim u regjistrua në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), duke e bërë Kosovën shtetin e vetëm në Ballkanin Perëndimor me këtë status”.

“Ky vendim vjen si rezultat i një procesi të gjerë dhe të kujdesshëm vlerësimi dhe përbën një dëshmi të qartë të reformave të ndërmarra, profesionalizmit institucional dhe përkushtimit të vazhdueshëm të AKA-së për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë”, njofton Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Të ngjashme

Të fundit