2.5 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

Agim Aliu: Ferizajn do ta fitoja përballë cilitdo kandidat, falë guximit dhe punës

- Advertisement -

Me të përfunduar një mandat në drejtim të qytetit të Ferizajt, Agim Aliu arriti që në zgjedhjet lokale të zhvilluara në vjeshtën e vitit 2021 të marrë edhe një herë besimin e qytetarëve për të drejtuar këtë komunë.

Komuna e Ferizajt po drejtohet edhe njëherë nga Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në një intervistë të dhënë për lajmi.net, Aliu ka renditur problematikat kyçe me të cilat po përballen qytetarët e kësaj komune.

Sipas tij një nga sfidat me të cilat janë përballur gjatë sezonit veror e që po vazhdon edhe tani është menaxhimi i mbeturinave si dhe sfida e arritjes së furnizimit me ujë të pijshëm.

E për premtimet e dhëna në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale Aliu theksoi se premtimet do t’i mbajë pa asnjë problem.

Gjithashtu në këtë mandat, Aliu deklaroi se fokus i veçantë do të jetë në arsim e shëndetësi, në arsim duke u ofruar sa më shumë pranë tregut të punës.

I pari i Ferizajt e ka cilësuar si një nga projektet më të mëdha atë të bashkimit të qytetit, e që sipas tij është zgjidhja urbane që është mbeten në afatgjatë zgjidhje infrastrukturore.

E kryetarin Aliu me gjasë nëse jo në politikë do të mund ta njihnim si jurist, saktësisht si avokat mbrojtës. Aliu theksoi se kjo ndoshta do të mund ta përfaqësonte karakterin e tij më së miri.

A mund të na thoni se cilat janë problematikat kryesore me të cilat përballen qytetarët e Ferizajt, e për të cilat duhet punuar edhe në këtë mandat?

Agim Aliu: Qytetarët e Ferizajt janë dëshmitarë të ndryshimit të qytetit e fshatrave ku jetojnë, janë dëshmitarë të punës sonë në të mirë të interesit të përgjithshëm, andaj edhe problematikat eventuale që mund të shfaqen në rrugëtimin tonë të përbashkët, kemi dhënë prova se dimë t’i menaxhojmë dhe zgjidhim bashkërisht. Natyrisht, gjatë mandatit të parë, jemi përballur edhe me sfida të ndryshme, nga më kryesoret është ajo me pandeminë COVID-19, por me një unifikim të gjithë institucioneve si lokale ashtu edhe qendrore që funksionojnë në nivelin lokal, kujtoj se kemi arritur të menaxhojmë suksesshëm gjithë situatën, po kështu sfidë tjetër që mbetet të merremi e t’i japim zgjidhje afatgjate është edhe sfidat që patëm veçanërisht gjatë muajve të verës me menaxhimin e mbeturinave si dhe sfidat me furnizimin me ujë të pijshëm, sfida këto që me gjithë kapacitetin tonë kemi bërë përpjekje t’i adresojmë, por që nevojitet edhe angazhim shtesë, për t’ia dal aty ku synojmë.

Cilat janë tri pikat kryesore në të cilat do të vendosni punën e juaj si kryetar?

Agim Aliu: Qeverisja jonë ka treguar profesionalizëm, vizion dhe dashuri për qytetin e fshatrat, duke realizuar pafund projekte të ndryshme që kanë ofruar zgjidhje të drejtpërdrejt për qytetarët. Edhe në këtë mandat, kemi pikat tona të fokusit e që janë Ferizaj i gjelbër, përkatësisht projektet e ndryshme mjedisore, nisur që me rregullimin e parqeve, masiveve të gjelbërta, siç është Parku tek shkolla “Gjon Serreçi”, Parku në Kodrën e Sherretëve, miniparqet sipas konceptit “pocket park”, parku tek lokacioni aktual i KRM “Pastërtia”, zgjerimi dhe rikonceptim i Parkut të Lirisë dhe të tjera që i japin zgjidhje dekadëshe Ferizajt në kuptimin e politikave mjedisore, po kështu, orientim i jonë do të jetë edhe vazhdimi i punës me projekte transformuese infrastrukturore, si fjala vjen projekti për ndërtimin e nënkalimit afër Stacionit Policor në Ferizaj, që do të jetë një vepër e re, identitare për Ferizajn e zgjidhje afatgjate infrastrukturore, po kështu edhe rikonstruktimi i rrugëve kryesore siç janë rrugët: “12 Qershori”, “Ahmet Kaçiku”, pa u kufizuar edhe më tutje në projekte madhore infrastrukturore të cilat i kemi prezantuar dhe kemi marr besimin nga ferizajasit. Po kështu, fokus të veçantë do të kemi edhe në arsim e shëndetësi. Në arsim duke ofruar sa më pranë tregut të punës duke shndërruar dhe zgjeruar gamën e veprimtarive/degëve në Shkollën Profesionale Teknike, shtuar këtu edhe pjesën e teknologjisë së informacionit, kurse në shëndetësi, përveç tjerash, ta realizojmë projektin madhor e të domosdoshëm për nevojat e kohës e që është ndërtimi i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Pra, janë projekte madhore të cilat kemi dëshmuar se dijmë dhe mund t’i realizojmë.

A do të arrini t’i përmbushni premtimet e bëra gjatë fushatës për banorët e Ferizajt?

Agim Aliu: Natyrisht, për këtë kemi marr besimin e ferizajasve, me fitoren historike të 17 Tetorit në gjithë historinë politike të Ferizajt.

Cilat i cilësoni projektet më të mira të mandatit të kaluar në këtë komunë?

Tashmë dihet, është një ndër projektet më të mëdha kudo në Kosovë, e që po kështu po merret si model nga qytete tjera. Fjala është për projektin “Bashkimi i Qytetit”, zgjidhjen urbane që kemi bërë përmes këtij projekti dhe guximin e dëshmuar për të ndërmarr projekte të tilla në zemër të qytetit, e që mbeten në afatgjatë zgjidhje infrastrukturore. Natyrisht, kemi realizuar edhe projekte tjera madhore, të cilat ose kanë përfunduar ose janë në përfundim e sipër, gjithashtu projekte identitare edhe këto si fjala vjen, ndërtimi i Pallatit të Kulturës, Qendra e Sporteve dhe Panaireve në Greme, pjesët tjera të nënkalimeve si në Varosh, Nikadin, tek Plus Marketi, masivet e gjelbërta si Parku i Pishave në Rahovicë e projekte tjera që identifikojnë qeverisjen tonë.

Agim Aliu: Sipas jush cila ishte arsyeja kyçe që arritët të fitoni edhe një mandat për të drejtuar Ferizajn?

Dëshmia e punës, guximi, integriteti moral e profesional, besimi i patundur i qytetarëve dhe ndarja e fatit me bashkëqytetarët duke funksionuar gjithëherë sipas parimit: “qytetari në radhë të parë”, pa dallime politike, përtej bindjeve ideologjike, politike apo librezave partiake, por duke qenë kryetar e shërbyes për të gjithë qytetarët, besoj janë kujtojë arsyet e fitores sonë historike në mandatin e dytë të qeverisjes me Komunën e Ferizajt.

Në rast se do të kishit kundërkandidat të tjerë a mendoni se do të arrinit të fitoni përsëri në zgjedhjet lokale?

Agim Aliu: Janë arsyet që përmenda më lartë, më të fuqishme se çfarëdo kundërkandidature e gare zgjedhore, andaj kujtoj se qytetarët kanë folur qartë e me zë të lartë, duke dhënë besim të jashtëzakonshëm platformës sime politike e ekipit tim të dëshmuar për punë efikase në shërbim të qytetarëve.

Nëse s’do të ishit kryetar komune, ku do të mund ta shihnim Agim Aliun?

Agim Aliu: Në rrugëtim të ri profesional, padyshim.

Cili është profesioni që do të mund ta zotëronit përpos udhëheqjes së komunës.

Agim Aliu: Edhe me vokacion profesional jam jurist i diplomuar, andaj kujtoj se përveç politikës si profesion, do të isha një avokat, profesion që kujtoj se përfaqëson karakterin tim më së miri.

Sa do të arrini që në këtë mandat të lartësoni fuqizimin e gruas në kuadër të Komunës së Ferizajt?

Agim Aliu: E kemi dëshmuar në mandatin e kaluar, se gratë kanë potencialin, kanë fuqinë vendimarrëse, kanë dijen e guximin për të qenë në krye e në drejtim të shumë institucioneve në nivel lokal. Kjo duke qenë drejtore të drejtorive, kryesuese e Kuvendit të Komunës apo faktin tjetër, që besoj do ta keni të njohur, se pikërisht, gjatë qeverisjes sonë, kemi avancuar mbi 300 gra në pozita udhëheqëse të nivelit të mesëm e të lartë në kuadër të administratës komunale dhe organeve në vartësi të Komunës, shifër kjo që flet për qasjen serioze që ka ekzekutivi i drejtuar nga ana ime, jo për ta parë si dekor gruan, por për t’i dhënë vendin që meriton në kuadër të vendimmarrjes lokale.

Çfarë u duhet më së tepërmi të rinjve në këtë komunë?

Agim Aliu: Të rinjtë ferizajas janë dëshmitarë se kemi qenë e mbetemi mbështetës të synimeve të tyre në rrugët që kanë vendosur të ndjekin profesionalisht. Me projektet që kemi realizuar, qofshin ato sportive, kulturore, rinore, kemi arritur që të krijojmë kushte më të përshtatshme për të rinjtë dhe këtë synim kemi edhe me projektet e reja që do të realizojmë.

Porosia juaj për qytetarët e Ferizajt për vitin 2022 si dhe për mandatin e ardhshëm të juajin?

Agim Aliu: Në këtë fundvit, uroj që shëndeti e mbarësitë, të jenë me ferizajasit në vitin e ri që po hyjmë, vitin 2022, uroj gjithashtu mirëqenie e begati, në sofrat e bashkëqytetarëve të mi e njëkohësisht, jam thellë i bindur, në ecjen tonë përpara, me përkushtimin e punën e dëshmuar tashmë. Urime edhe për ju dhe familjet tuaja, festat e fundvitit!

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit