Agim Ademi mori pjesë në përvjetorin e themelimit të FC 2 Korriku

- Advertisement -

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të themelimit të FC 2 Korriku, një prej klubeve me traditë në futbollin kosovar, i cili mban emrin e 2 Korrikut 1990 – datës së Deklaratës Kushtetuese, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

Gjatë vizitës, Ademi vlerësoi kontributin e klubit ndër vite në zhvillimin e futbollit dhe në edukimin e brezave të rinj, duke theksuar se FC 2 Korriku ka qenë dhe mbetet një shembull i përkushtimit ndaj sportit.

Në kuadër të aktiviteteve për këtë përvjetor, presidenti i FFK-së mori pjesë edhe në turneun e grupmoshave të reja, ku garuan klube nga të gjitha trojet shqiptare. Sipas tij, organizime të tilla janë dëshmi e rolit që futbolli luan në afrimin e të rinjve, krijimin e miqësive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet klubeve.

Ademi shprehu gjithashtu mirënjohje për gjeneratat e futbollistëve dhe sportdashësve që, në periudha të vështira, e mbajtën gjallë futbollin në Kosovë, duke theksuar se falë sakrificës së tyre, sot të rinjtë kanë kushte shumë më të mira për zhvillimin e talentit.

Në fund, presidenti i FFK-së uroi FC 2 Korriku për përvjetorin e themelimit, duke i dëshiruar suksese të mëtejshme në misionin për zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe avancimin e futbollit në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit