Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përkujtuar heroin e kombit, Zahir Pajaziti, në 64-vjetorin e lindjes së tij, shkruan Scanner.
Përmes një postimi, Ademi ka vlerësuar lart figurën e njërit prej prijësve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë simbol të guximit, qëndresës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.
Ai ka theksuar se Zahir Pajaziti nuk është vetëm krenaria e Gollakut, por e gjithë Kosovës, ndërsa vepra dhe sakrifica e tij mbeten pjesë e pashlyeshme e historisë dhe frymëzim për brezat e ardhshëm.
Në fund të mesazhit, Ademi ka shprehur nderimin për heroin Zahir Pajaziti dhe të gjithë dëshmorët e kombit.
“Lavdi e përjetshme komandant Zahir Pajazitit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar Ademi.
Postimi i plotë:.
🇦🇱🇽🇰Zahir Pajaziti, emri që u bë sinonim i guximit dhe i lirisë
Ka emra që nuk i përkasin vetëm historisë, por bëhen pjesë e përjetësisë së një kombi. Zahir Pajaziti është njëri prej tyre. Ndër prijësit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai u shndërrua në simbol të guximit, qëndresës dhe sakrificës për liri.
Në një kohë kur liria dukej ende larg, ai zgjodhi të mos pajtohej me robërinë, por t’i printe rrugës së rezistencës së armatosur.
Sot, kur do të mbushte 64 vjet, kujtojmë jo vetëm heroin, por edhe idealin për të cilin ai jetoi dhe ra. Sepse disa njerëz largohen fizikisht nga kjo botë, por mbeten përgjithmonë në kujtesën dhe historinë e një populli.
Zahir Pajaziti nuk është vetëm krenaria e Gollakut, por e gjithë Kosovës.
Vepra dhe sakrifica e tij mbeten pjesë e pashlyeshme e historisë sonë dhe frymëzim për brezat që vijnë.
Lavdi e përjetshme komandant Zahir Pajazitit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit! 🇽🇰🇦🇱
#UÇK







